Lajme

Temperatura deri në 33 gradë, parashikimi i motit për sot

Shqipëria vijon nën mbizotërimin e motit të kthjellët dhe temperaturave relativisht të larta. Orët e pasdites do të sjellin vranësira të lehta e kalimtare nëpër të gjithë territorin, ku më të theksuara vranësirat do të jenë në skajin verior dhe verilindor, megjithatë nuk priten reshje në territor. Ky stabilitet i atmosferës do të na shoqërojë edhe gjatë natës.

Temperaturat e ajrit do të rriten në vlerat minimale dhe maksimale duke u luhatur nga 10°C temperatura më e ulët e shënuar në qytetin e Peshkopisë deri në 33°C vlera maksimale e shënuar në skajin Jugor.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe në det duke arritur shpejtësine mbi 35 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor. Për pasojë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit do të gjenerohet dallgëzim 2 ballë.

Kosova

Do të vijojnë masat ajrore të qëndrueshme në Republikën e Kosovës, duke kushtëzuar mot të kthjellët dhe temperatura relativisht të larta në të gjithë territorin por pas mesditës pritet të shfaqen vranësira. Si fillim në zonat veriore dhe gradualisht gjatë orëve të pasdites do të përfshijnë të gjithë territorin e Kosovës. Parashikohet që orët e vona të natës të sjellin edhe shtim të lagështirës në ajër. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në orët e mëngjesit edhe në të mesditës duke luhatur vlerat ditore nga minimalja 9°C dhe maksimalja do të ngjitet deri në 29°C. Era do të fryjë e lehtë; por herë pas here forcohet duke arritur shpejtesinë maksimale mbi 45 km/h nga drejtimi Veriperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Masat ajrore të qëndrueshme do të mbizotërojnë në të gjithë Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku pjesa e parë e ditës do të jetë nën dominimin e motit të kthjellët dhe relativisht të nxehtë. Ndërsa pasditja dhe në vijim parashikohet të ketë kalime të shpeshta të vranësirave në të gjithë vendin por më të fokusuara do të jenë në skajin Verior dhe Verilindor megjithatë nuk priten reshje. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë si në vlerat minimale edhe në ato maksimale duke u luhatur nga 8°C minimalja deri në 33°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë mesatare dhe hera herës e fortë duke arritur shpejtesinë maksimale 45 km/h nga drejtimi Veriperëndimor.

Europa

Zhvillimi i një qendre më presion të ulët atmosferik përkatësisht në Veri dhe Veriperëndim të kontinentit do të kushtëzojë mot të paqëndrueshëm në gadishullin Skandinav dhe Britaninë e madhe duke sjellë reshje të dendura shiu dhe mini-stuhi ere; Po ashtu Alpet Europiane si edhe zonat përreth tyre do të përfshihen nga rrebeshe shiu erëra të fuqishme ndërsa nën ndikimin e motit të kthjellët dhe temperaturave të larta; do të paraqiten; gadishulli i Ballkanit, gadishulli Apenin si edhe brigjet e detit të zi; si pasojë e qarkullimit të masave ajrore nga brigjet veriore të Afrikës.