Lajme

Temperaturat e larta, mjekët ngrenë alarmin mbi ushqyerjen: Rreziku për t’u helmuar është i lartë, kemi disa raste

Temperaturat e larta këto ditë kanë shtuar edhe numrin e rasteve me viroza në spitalin rajonal të qytetit të Kukësit.

Veç virozave, rreziku për tu helmuar nga ushqimet është edhe më i madh. Sipas shefit të urgjencës Emin Ferati, këto ditë ka pasur raste të ndryshme.

“Për shkak të temperaturave të larta kemi dhe kontaminimin e ushqimeve me mikrobe, prandaj rekomandohet të konsumohen ushqime të freskët. Ndërkohë temperaturat e larta janë edhe një shkak për shëndetin e popullatës dhe bëjmë thirrje që të kenë kujdes që mos të ekspozohen në orët e pikut. Moshat e dyta dhe të treta mbi të gjitha ato me sëmundje kronike janë më të prekshëm”, u shpreh mjeku Emin Ferati.

Ndër të tjera, Ferati jep edhe disa këshilla se si mund ti përballojnë këto ditë me temperatura të larta, sidomos moshat e treta.

“Të konsumojnë ushqime sa më të freskëta, lëngje dhe të marrin në mënyrë sistematike mjekimin që kanë për sëmundjet kronike”, u shpreh mjeku.

Në 24 orëshin e fundit në spitalin rajonal të Kukësit janë paraqitur rreth 80 raste me simptoma të ndryshme.