Lajme

Tension në Tiranë/ Që’lloi drejt makinës së parkuar, 32-vjeçari kapet nga policia pas disa orësh arratisjeje

Një 32-vjeçar është arrestuar në Tiranë, vetëm pak orë pas të shtënave me armë zjarri drejt një automjeti të parkuar në Kuçovë.

Në pranga ka përfunduar edhe një 49-vjeçar, i dyshuar se ka përkrahur autorin.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri dhe municion.

Njoftimi i policisë:

Kuçovë / Qëlloi me armë zjarri drejt një automjeti të parkuar, brenda pak orëve kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.Në pranga edhe një shtetas tjetër, i dyshuar për përkrahjen e autorit të krimit. Sekuestrohen arma e zjarrit dhe municion.

Në vijim të informacionit të dhënë më datë 23.08.2026, për ngjarjen e ndodhur në lagjen “1 Maji”, Kuçovë, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Prokurorinë Berat dhe Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, vijuan veprimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe punës së koordinuar, në Tiranë, u bë e mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasve A. Ç., alias A. Gj., 32 vjeç, dhe A. Xh., 49 vjeç, të dy banues në Kuçovë.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. Xh., në tarracë u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri dhe disa fishekë, të cilat dyshohet se lidhen me ngjarjen.

Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi i shtetasve:

– A. Ç., për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
– A. Xh., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. Gj., 65 vjeç, banues në Kuçovë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Të Ngjashme