Lajme

​Tensione te tregu i automjeteve në Prishtinë, shitësit ilegal tentojnë ta bllokojnë rrugën

​Tensione te tregu i automjeteve në Prishtinë

Situatë e tensionuar në mes zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe shitësve ilegal ka ndodhur në hapësirat përreth tregut të automjeteve në Prishtinës, pasi shitësit tentojnë ta bllokojnë rrugën si protestë që nuk po u lejohet të shesin asgjë tjetër përveç pjesëve të automjeteve në treg.

Komuna e Prishtinës, përkatësisht Inspektorati i Kryeqytetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe inspektorët e AVUK-ut, që nga ora 05:00 po zhvillojnë një aksion të përbashkët në terren, në lokacionin e tregut të automjeteve dhe në hapësirat përreth.

Arsyeja e këtij aksioni është që të mos bllokohet hapësira publike dhe të mos shiten shpezët ilegalisht.

Shitësit të cilëve nuk po u lejohet të shesin sot në këtë treg që mbahet gjithmonë të dielave, janë ankuar që t’u lejohet të shesin, pasi që kanë ardhur nga qytete të ndryshme.

Ata po qëndrojnë para Policisë së Kosovës si shenjë proteste.

Aksion i përbashkët i Inspektoratit, Policisë e AVUK-ut në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot ekipet e Inspektoratit të Kryeqytetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe inspektorët e AVUK-ut, zhvillojnë një aksion të përbashkët në terren.

Aksioni zhvillohet në lokacionin e tregut të automjeteve, si dhe në hapësirat përreth këtij lokacioni.

Sipas njoftimit, qëllimi i këtij aksioni është zbatimi i legjislacionit në fuqi, parandalimi dhe ndëshkimi i shitjes ilegale, tregtimit të paautorizuar të shpezëve dhe kafshëve, si dhe i çdo veprimtarie tjetër që bie në kundërshtim me rregulloret dhe ligjet përkatëse.

Ftohen qytetarët dhe subjektet afariste që të respektojnë obligimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse gjatë realizimit të këtij aksioni.

Institucionet kompetente do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore ndaj shkelësve.

Të Ngjashme