Ramush Haradinaj ka njoftuar se nuk do të jetë më kryetar i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pasi vendosi të mos kandidojë për këtë pozicion në zgjedhjet e brendshme të partisë që do të zhvillohen ndërmjet 20 shkurtit dhe 6 qershorit 2026.
Ai sqaroi se vendimi i tij lidhet me kohe të gjatë që ka udhëhequr AAK-në, që nga themelimi i saj në vitin 2000, dhe me rezultatet jo të mira të partisë në zgjedhjet e fundit.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit 2025, AAK arriti të fitojë vetëm gjashtë ulëse në Parlament.
Haradinaj tha gjithashtu se, nuk do të jetë kandidat për president të Kosovës këtë herë.
Derisa ai largohet si udhëheqës i AAK-së, Ardian Gjini ka shpallur kandidaturën për kryetar dhe mund të ketë edhe kandidatë të tjerë në garë për drejtimin e partisë.
Mirëpo, të gjendur përballë kësaj dorëheqje, a është kjo tërheqje një pranim i dështimit pas rezultatit të dobët, apo thjesht një lëvizje taktike për të ruajtur ndikimin nga prapaskena?
Zogaj: AAK-ja pësoi rënie serioze me vetëm gjashtë mandate
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur publicisti Skënder Zogaj.

Skënder Zogaj
Publicisti thotë se, zgjedhjet kanë treguar se shumë parti janë më të interesuara për pushtet sesa për interesin e shtetit, madje duke përdorur edhe manipulime për ta arritur atë.
Ai thekson se vjedhja e votës dëmton rëndë demokracinë, ul besimin e qytetarëve dhe njollos imazhin e Kosovës.
“Zgjedhjet e 9 shkurtit dhe të 28 dhjetorit 2025 kanë demistifikuar qartë sjelljen e partive politike në Kosovë, duke dëshmuar se për shumicën e tyre synimi nuk është shteti, por pushteti. Për ta arritur këtë, nuk janë kursyer as mjetet dhe as mënyrat, deri edhe te manipulimi i organizuar i procesit zgjedhor.
Vjedhja e votës përbën shkeljen më të rëndë të demokracisë dhe do të mbetet një njollë e pashlyeshme në historinë e re politike të Kosovës, duke cenuar besimin e qytetarëve dhe kredibilitetin e shtetit para miqve dhe kundërshtarëve të tij. Zgjedhjet e manipuluara prodhojnë rezultate të deformuara, pasojë e një elektorati të tronditur dhe të zhgënjyer”, u shpreh ai.
Zogaj thotë se, përveç Vetëvendosjes, partitë e tjera humbën, dhe largimi i Haradinajt është veprim i përgjegjshëm.
Ai thekson se liderët duhet të japin llogari për dështimet për hir të demokracisë.
“Përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila arriti rezultatin më të lartë të pasluftës, partitë e tjera dolën humbëse. Veçanërisht LDK-ja, ndërsa edhe AAK-ja pësoi rënie serioze me vetëm gjashtë mandate. Në këtë kontekst, paralajmërimi i Ramush Haradinajt për t’u tërhequr nga kreu i AAK-së është një akt përgjegjësie politike dhe shembull i domosdoshëm për kulturën demokratike.
Ndryshimet janë shenjë shëndeti politik. Në një shtet në proces shtetformimi si Kosova, liderët partiakë kanë detyrim moral dhe politik të japin llogari për dështimet dhe të respektojnë standardet demokratike, sepse shkelja e tyre ka pasoja të pariparueshme”, foli Zogaj për “Bota sot”.
Aliçkaj: Ramush Haradinaj mbetet figurë e rëndësishme politike në Kosovë
Ndërsa, veprimtari nga SHBA, Agim Aliçkaj në një bashkëbisedim për “Bota sot”, thotë që familja Haradinaj dhe Ramush Haradinaj kanë pasur rol të rëndësishëm në luftën për çlirimin e Kosovës dhe se kontributi i tyre mbetet pjesë e historisë.

Agim Aliçkaj
Gjithashtu, ai përmendi mbështetjen që Ramushi ka marrë nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe figura amerikane, si Joe DioGuardi dhe Joseph Biden, gjatë dhe pas luftës, përfshirë edhe kohën e gjykimit në Hagë.
“Familja Haradinaj ka qenë në ballë të rezistencës së popullit shqiptar për liri në dekadat e fundit. Ramush Haradinaj ishte luftëtar dhe komandant i dalluar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Meritat e tyre, si ato të shumë luftëtarëve dhe familjeve të tjera në çlirimin nga okupatori serb, mbeten të regjistruara përgjithmonë në historinë e Kosovës.
Gjatë fushatës së egër dhe shkatërruese të forcave serbe, zëri dhe pushka e Ramushit me shokët e tij nuk u ndalën për asnjë moment; ai nuk e la kurrë frontin e luftës deri në fitoren përfundimtare.
Për këtë arsye, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e udhëhequr nga Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, ka treguar respekt dhe përkrahje të veçantë për veprën e Ramushit.
Pas luftës, u organizuan takime të rëndësishme për të në Ëashington, përfshirë edhe atë me ish-kryetarin e Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit Amerikan, Joseph Biden, i cili më vonë u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara. Liga siguroi gjithashtu një avokat mbrojtës për të, dhe Joe e Shirley e vizituan gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku ai triumfoi”, potencon ai.
Tutje, Aliçkaj vlerëson se, paslufta e Ramush Haradinajt ka pasur si arritje ashtu edhe gabime, por ai ka luajtur rol të rëndësishëm në ndërtimin e shtetit.
Ai shton se tërheqja e tij nga drejtimi i AAK-së shihet si vendim i arsyeshëm pas një kohe të gjatë në krye dhe rezultateve të dobëta, ndërsa partia ka nevojë për ristrukturim dhe hapje ndaj figurave të reja.
“Veprimtaria politike e pasluftës e z. Haradinaj paraqitet disi më e ndërlikuar, me suksese të dukshme por edhe me mangësi e gabime, ndonjëherë krejtësisht të panevojshme. Megjithatë, pa hyrë në analizë të veprimeve konkrete, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt demokracisë dhe shtetësisë.
Deklarimi i tij publik se nuk do të kandidojë për Kryetar të AAK-së ka hapur debat të theksuar ditët e fundit. Arsyet e paraqitura prej tij janë të qarta dhe të mjaftueshme për t’u tërhequr nga udhëheqja e partisë. Koha e gjatë në drejtim dhe rezultatet e pakënaqshme në zgjedhje e konsumojnë çdo lider partiak, sado i fortë dhe me autoritet të jetë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nevojë të madhe për ristrukturim dhe ndryshime me qëllim të rritjes dhe shtrirjes më të gjerë në territorin e Republikës së Kosovës. Hapja e rrugës për kuadro të reja me vizion të ndryshëm për partinë dhe shtetin është një hap pozitiv dhe duhet vlerësuar”, shpjegon veprimtari.
Ndër tjera, ai shpreh dyshime nëse Ardian Gjini do të sjellë ndryshimet e nevojshme në parti dhe sugjeron se tërheqja e Haradinajt mund të jetë një lëvizje strategjike për një rol tjetër, megjithëse gjasat për postin e Presidentit mbeten të vogla pas fitores së LVV-së me partnerët e saj.
“Nuk është e sigurt nëse kandidatura e parë dhe zgjedhja e mundshme e z. Ardian Gjini si kryetar partie, i cili i përket gardës së vjetër, do të mund të arrijë ndryshimet e synuara.
Mundësia që të ekzistojnë edhe arsye të tjera është reale. Tërheqja nga lidershipi i partisë mund të shoqërohet me një ri-pozicionim strategjik, fokus në rolin parlamentar ose në një rol tjetër shtetëror, pa hyrë drejtpërdrejt në garë për kryetar partie.
Ai e mohoi publikisht kandidimin për President të vendit, por la të hapur mundësinë që Parlamenti ta kërkojë për një rol të tillë. Gjasat për këtë janë shumë të vogla pas fitores bindëse mbi 51% të LVV-së me koalicionin Guxo, Alternativa dhe PSHDK”, potencon Aliçkaj.
Në fund, veprimtari potencoi që, popullariteti i Vjosa Osmanit e bën pothuajse të pamundur kandidimin e figurave të tjera, ndërsa zgjedhjet e reja do të dëmtonin vendin dhe opozitën; megjithatë, largimi i Haradinajt nga drejtimi i AAK-së nuk e ul peshën e tij politike dhe shihet si mundësi për reflektim.
“Popullariteti i madh i kandidates shumë serioze për Presidente, znj. Vjosa Osmani, i zvogëlon edhe më shumë gjasat për kandidim të cilitdo politikani tjetër në Kosovë. Çfarëdo zgjidhjeje tjetër do të ishte një humbje e madhe për interesat e Kosovës dhe përfaqësimin e saj në forumet ndërkombëtare.
Kjo është gjithashtu në interes të AAK-së dhe partive të tjera opozitare për këtë mandat në këto rrethana. Shkuarja në zgjedhje të reja do të ishte shumë e dëmshme për shtetin e Kosovës dhe katastrofale për ato parti që do të bojkotonin zgjedhjen e Presidentes Vjosa Osmani.
Tërheqja e z. Haradinaj nga udhëheqja e AAK-së nuk e zvogëlon aspak ndikimin e tij brenda partisë dhe më gjerë. Ai mbetet figurë e rëndësishme politike në Kosovë. Duhet shpresuar që kjo tërheqje përfaqëson një reflektim personal dhe një largim nga situatat e paqarta dhe deklaratat negative të panevojshme”, përfundoi veprimtari Aliçkaj për “Bota sot”.
