Bota

Tërmeti i fuqishëm në Japoni, rreth 50 viktima dhe qindra të plagosur

Një sërë tërmetesh të fuqishme që goditën perëndimin e Japonisë kanë lënë të paktën 48 persona të vdekur dhe kanë dëmtuar mijëra ndërtesa, makina dhe anije, thanë zyrtarët. Autoritetet në Japoni më 2 janar u bënë thirrje njerëzve në disa zona që të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut se vendi mund të goditet nga tërmete të tjera të fuqishme.

Dridhjet pasuese të tokës kanë goditur prefekturën e Ishikavas dhe zonave përreth një ditë pasi një tërmet i fuqishëm prej 7.6 ballësh goditi këtë zonë. Dyzet e tetë persona janë konfirmuar të vdekur në Ishikava, thanë zyrtarët. Gjashtëmbëdhjetë të tjerë janë të plagosur seriozisht, ndërkaq sipas zyrtarëve, dëmi në shtëpi është aq i madh, sa nuk mund të vlerësohet tani.

Mediat japoneze thanë se mijëra shtëpi janë shkatërruar. Zëdhënësi i Qeverisë, Yoshimasa Hayashi, tha se 17 persona kanë pësuar lëndime serioze, por ekzekutivi dha numër pak më të ulët të viktimave, duke shtuar se është në dijeni për shifrat e paraqitura nga prefektura e Ishikavas.

Në disa zona nuk ka ujë, energji dhe as shërbime të telefonisë. Ushtria japoneze ka dislokuar 1.000 ushtarë në zonën e fatkeqësisë për t’iu bashkuar përpjekjeve të shpëtimit, tha të martën kryeministri Fumio Kishida.

“Shpëtimi i jetës është prioriteti ynë dhe ne jemi në betejë me kohën. Është thelbësore që personat e bllokuar në shtëpitë e tyre të shpëtohen menjëherë”, tha ai.

Në kohën kur Kishida po i adresohej mediave, një tërmet prej 5.6 ballësh goditi zonën e Ishikavas. Agjencitë që mbikëqyrin disa centrale bërthamore në rajon thanë se ato po punojnë normalisht. Një tërmet i fuqishëm, i pasuar nga një cunami në marsin e vitit 2011, shkaktoi shtrirje e tre reaktorëve dhe lirimin e një sasie të madhe të rrezatimit në një central bërthamor në verilindje të Japonisë.

Të hënën, Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi paralajmërime për cunami në Ishikava dhe për nivele më të ulëta të cunamit në pjesën tjetër të bregdetit perëndimor të Japonisë. Paralajmërimet për cunami u tërhoqën disa orë më vonë, përderisa valët e detit në disa zona arritën deri në një metër.

Banorët e zonës janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe janë strehuar në shkolla dhe qendra të komunitetit. Sipas parashikimeve të motit, Japonia do të përballet me reshje shiu, që ka rritur shqetësimet për ndërtesat veçse të dëmtuara.



/tiranapost