Lajme

Tërmkolli godet “kërcënimet e tipit ISIS”: Po të donte ta kallte Kosovën, Thaçi do ta bënte vetë

Ish-ministrja dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka reaguar ndaj deklaratave dhe retorikës së ashpër që po shoqëron ditët para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Tërmkolli ka bërë thirrje që reagimet ndaj Gjykatës Speciale të jenë të matura dhe të argumentuara, duke kundërshtuar, siç i ka cilësuar ajo, kërcënimet dhe gjuhën që mund t’i shkaktojë dëm Kosovës.

“Po të donte me kallë Kosovën, do ta bënte këtë vetë Hashim Thaçi kur iu ngrit aktakuza dhe u ftua në Hagë!”, ka shkruar Tërmkolli.

Ajo ka rikujtuar mënyrën se si ish-presidenti Hashim Thaçi kishte vepruar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij.

“Ai doli para qytetarëve të Kosovës dhe foli para tyre si burrështetas dhe në postin e Presidentit! As nuk u fsheh, as nuk iku!”, ka shkruar ajo.

Në reagimin e saj, Tërmkolli ka përmendur edhe Kadri Veselin, duke theksuar se edhe ai, në atë kohë në krye të Kuvendit, kishte ndjekur rrugën institucionale.

“Njëjtë bëri edhe Kadri Veseli, në postin e Kryetarit të Kuvendit!”, ka shtuar ajo.

Ish-ministrja ka qenë kritike ndaj retorikës kërcënuese që është shfaqur në diskursin publik në prag të vendimit të Hagës.

“Reagimet e ‘kërcënimet’ e tipit ISIS të disave të PDK-së e disa analistëve të lodhtë, janë të dëmshme për Kosovën!”, ka shkruar Tërmkolli.

Sipas saj, kundërshtimi ndaj zhvillimeve dhe vendimeve të Gjykatës Speciale është dashur të zhvillohej më herët dhe përmes argumenteve.

“Reagimi për devijimet e Gjykatës Speciale u dasht të bëhej në kohë dhe me argumente!”, ka theksuar ajo.

Tërmkolli ka përfunduar reagimin duke bërë dallimin mes luftës kundër pushtuesit dhe përplasjeve të brendshme politike.

“Kosovën e kanë kallë e djegë veç armiqtë e saj! Ne kemi luftu me çliru nga armiqtë dhe e kemi bërë këtë vend të lirë e të pavarur! Unë besoj në lirimin e luftëtarëve të lirisë!”, ka shkruar ajo.

Reagimi vjen vetëm një ditë para shpalljes së aktgjykimit në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dhomat e Specializuara kanë njoftuar zyrtarisht se aktgjykimi do të shpallet më 16 shtator 2026, në orën 10:00, në Hagë. 

Katër ish-krerët e UÇK-së përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe i kanë mohuar akuzat. 

Të Ngjashme