Lajme

“Testi i fundit për LDK-në” – Halil Geci paralajmëron izolim dhe humbje politike

Halil Geci përmes një postimi në Facebook, e vendos Lidhjen Demokratike të Kosovës përballë një momenti kyç politik, duke e cilësuar procesin e zgjedhjes së Presidentit si test vendimtar për përgjegjësinë institucionale të opozitës.

Duke iu referuar refuzimit të LDK-së për të hyrë në koalicion qeverisës dhe pasojave që kjo ka prodhuar në stabilitetin institucional, Geci thekson se partia ka ende një mundësi për korrigjim politik përmes një qasjeje konstruktive dhe bashkëpunuese, në të kundërtën rrezikon të margjinalizohet dhe të perceptohet si faktor bllokues i proceseve shtetërore, përcjell “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

LDK përballë një testi politik: Korrigjim apo margjinalizim

Zgjedhja e Presidentit shihet si testi i fundit për përgjegjësinë institucionale të opozitës e veqmas për LDK-në, pas refuzimit të koalicionit qeverisës

Pas përfundimit të zgjedhjeve, skena politike në Kosovë u përball me mundësi konkrete për bashkëpunim institucional, në funksion të stabilitetit dhe interesit të vendit. Në këtë kontekst, roli i opozitës, veçanërisht i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), mbetet përcaktues për rrjedhën e proceseve shtetërore.

LDK pati ofertë për koalicion qeverisës, por vendosi ta refuzojë atë. Ky vendim, ndonëse legjitim politikisht, u shoqërua me pasoja për vetë subjektin dhe ndikoi në krijimin e një klime të pasigurisë institucionale.

Megjithatë, LDK ende ka një mundësi të rëndësishme për të dëshmuar se mbetet një parti shtetformuese dhe e përgjegjshme. Kjo mundësi lidhet drejtpërdrejt me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, një nga aktet më të rëndësishme kushtetuese.

Një qasje konstruktive dhe bashkëpunuese në këtë proces do të ishte në interes të shtetit dhe të vetë LDK-së, duke rikthyer besimin qytetar dhe rolin e saj si faktor stabiliteti.

Në të kundërtën, refuzimi i vazhdueshëm i bashkëpunimit rrezikon ta pozicionojë LDK-në si faktor bllokues të institucioneve, me pasoja afatgjata për profilin e saj politik.

Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike dhe funksionim normal të institucioneve, jo për bllokada dhe paralizë të vendimmarrjes,siç ndodhi gati një vitë !

Nëse vazhdohet me qasje bllokuese dhe vendi përballet sërish me zgjedhje të parakohshme, kjo do të ndikonte negativisht në stabilitetin institucional dhe do ta dobësonte edhe më tej pozitën e opozitës, përfshirë LDK-në.

Përveç ofertës për koalicion, LDK pati edhe mundësi të tjera për bashkëpunim qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, por zgjodhi t’i refuzojë ato, duke humbur një shans të rëndësishëm politik.

Refuzimi i këtyre mundësive u reflektua si humbje politike dhe si dëm ndaj interesit publik, ndërsa për vetë LDK-në ky vendim pati ramje drastike me pasoja të rënda dhe afatgjata.

Mungesa e konsensusit nga opozita çoi në bllokim të proceseve dhe ngadalësim të punës së institucioneve. Në vend të dialogut dhe kompromisit, u zgjodh bllokada, e cila ndikoi jo vetëm në qeverisje, por edhe në perceptimin publik ndaj opozitës dhe në zhvillimin e vendit.

Zgjedhja për të mbështetur një alternativë tjetër politike nga ana e qytetarëve ishte një vendim i ndërgjegjshëm dhe racional, jo emocional. Vota nuk ishte kundër askujt, por në mbështetje të përgjegjësisë institucionale.

Demokracia funksionon kur palët politike bashkëpunojnë për interesin e Kosovës, jo kur mbahen qëndrime bllokuese. Mendimet e ndryshme janë pjesë e demokracisë dhe duhen respektuar, por zgjedhjet kanë përfunduar, ndërsa nevoja për përgjegjësi politike mbetet, veçanërisht për opozitën dhe LDK-në.

Kosova ka nevojë për bashkëpunim, stabilitet dhe vendime në shërbim të qytetarëve.




Të Ngjashme