Lajme

Tetaj: Sa herë ka ardhë Thaçi ne kemi pasur pak probleme, kishte presion

Dëshmitari Rrustem Tetaj teksa foli për takimet me Hashim Thaçin në Kazermën e Prapaqanit, tha se sa herë shkonte tashmë i akuzuari atje, ata kishin nga pak probleme.

“Sa herë ka ardhë Hashim Thaçi ne kemi pas pak probleme në kazermën e Prapaqanit bash mu për këtë se ishin dy fraksione. Kishin divergjenca të mëdhaja në mes, a në realitet ishim një Ushtri”, tha Tetaj.

Përpara kësaj, dëshmitari tha se në zyrën e tij e ka pasur një fotografi të Ibrahim Rugovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka qenë fotografia e Rugovës, kështu që asokohe ka qenë më shumë aktuale që të merren me Ibrahim Rugovën dhe anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës sesa vetë me ushtrinë ose me organizimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Tetaj.

Ai shtoi se ka pasur presion në atë kohë që asgjë të mos jetë në emër të Ibrahim Rugovës.

“Presioni ka qenë që kurgja mos me qenë në emër të dr. Ibrahim Rugovës. Kur them asgjë them që as fotografia, njerëzit që ishin anëtarë të LDK-së. Megjithëse atëherë sa më kujtohet, të gjithë ne ishim ushtarë”, tha dëshmitari.

Gjithashtu, dëshmitari tha se në atë zonë, atë kohë ishin dy fraksione që vepronin por që në realitet të gjithë ishin ushtarë.

“Me të thënë të drejtën aty ishte biseda që ishin dy fraksione si Ushtri Çlirimtare të Kosovës dhe Forca të Armatosura të Kosovës me emrin FARK. Ishte presion largimi nga FARK-u dhe të jemi pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës a në realitet ishim të gjithë ushtarë. Më tepër kanë qenë ato pyetjet, tani nuk më kujtohet më shumë por e di që ndërhyrja ka qenë në lidhje me Forcat e Armatosura të Kosovës me emrin e quajtur FARK”, tha ai.

Ai shtoi se e gjithë tema e takimit ishte për fërkimet në mes UÇK-së dhe FARK-ut.

“Vetë takimi dhe prezenca e Hashim Thaçit që ishte prezent, ai ma tepër ka folë se sa tjerë në ato momente, mirëpo me iu thënë të drejtën të gjitha ato sot nuk më kujtohen. Kanë kalu kohë e gjatë kështu që me mendu saktësisht çka kemi folë është e pamundshme me i majtë në memorien time. Iu thash se krejt tema ka qenë për fërkimet në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Kosovës- FARK-ut”, tha ai.