Lajme

Tetë zyrtarë policorë nderohen me Medalje për Shpëtim Jete

Tetë zyrtarë të Policisë së Kosovës janë nderuar me “Medalje për Shpëtim Jete”, në  shenjë nderimi për guximin, profesionalizmin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të dëshmuar gjatë ndërhyrjes për shpëtimin e jetës njerëzore.

Policia ka bërë të ditur se vlerësimi është pas përfundimit të procedurave të parapara sipas udhëzimit administrativ dhe vlerësimit nga anëtarët e komisionit vlerësues, me rekomandim të drejtorit të përgjithshëm të PK-së, kolonel Gazmend Hoxha, bazuar në Ligjin e Policisë, ministri i Punëve të Brendshme,Xhelal Sveçla.

Sveçla gjatë fjalimit të tij potencoi  “Jam tejet i lumtur që jemi sot këtu bashkë, për të nderuar punën e tetë zyrtarëve tanë policorë, të cilët me aktin e tyre human e fisnik, duke rrezikuar vetveten, i dhanë kuptim misionit të Policisë së Kosovës. Këto akte dëshmojnë se, përveç profesionalizmit të lartë, pjesëtarët tanë policorë bartin edhe vlera të mëdha humane, të cilat ndërveprojnë me detyrën dhe përgjegjësinë zyrtare”.

Akti heroik i zyrtarëve tanë policorë është dëshmi e qartë e përkushtimit të palëkundur që Policia e Kosovës ka ndaj qytetarëve të Republikës sonë. Në momente kritike, kur sekondat bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes, ju veproni me guxim, profesionalizëm dhe humanizëm të jashtëzakonshëm. Kjo është arsyeja që Policia e Kosovës vazhdon të mbetet ndër institucionet më të besuara në vend.

Ndërsa drejtori Hoxha vlerësoi lart veprimin e zyrtarëve policorë, si një akt i jashtëzakonshëm guximi, një nivel i lartë profesionalizmi dhe mbi të gjitha një humanizëm i pastër i tetë zyrtarëve policorë, duke theksuar që ata në momente kritike, nuk hezituan në asnjë sekondë, por me veprimet e tyre të matura dhe vetëmohuese arritën të shpëtojnë jetë njerëzish.

“Veprimet tuaja të guximshme dhe profesionale janë një shembull i mirë dhe një burim i madh frymëzimi për të gjithë zyrtarët policorë që mbajnë këtë uniformë anembanë vendit. Ju vërtetuat se uniforma e PK-së nuk është thjesht një petk zyrtar, por ajo bart mbi vete një peshë të madhe të përgjegjësisë, një mision human dhe një gatishmëri të palëkundur për të shërbyer në  çdo rrethanë ndaj qytetarëve dhe vendit, pavarësisht rreziqeve që mund të kanosen”, theksoi drejtori Hoxha.

Të Ngjashme