Tetë zyrtarë të Policia e Kosovës janë dekoruar me Medalje për Shpëtim Jete për guximin dhe profesionalizmin e treguar gjatë ndërhyrjeve për shpëtimin e jetëve njerëzore.
Dekorimi u bë nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas rekomandimit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Sipas njoftimit, zyrtarët policorë u nderuan “në shenjë nderimi për guximin, profesionalizmin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të dëshmuar gjatë ndërhyrjes për shpëtimin e jetës njerëzore”.
Ministri Sveçla gjatë ceremonisë tha se aktet e policëve pasqyrojnë misionin human të Policisë së Kosovës.
“Jam tejet i lumtur që jemi sot këtu bashkë, për të nderuar punën e tetë zyrtarëve tanë policorë, të cilët me aktin e tyre human e fisnik, duke rrezikuar vetveten, i dhanë kuptim misionit të Policisë së Kosovës”, deklaroi Sveçla.
Ai shtoi se këto veprime dëshmojnë se pjesëtarët e policisë “bartin edhe vlera të mëdha humane, të cilat ndërveprojnë me detyrën dhe përgjegjësinë zyrtare”.
Në anën tjetër, drejtori Hoxha e cilësoi veprimin e policëve si një akt të jashtëzakonshëm guximi dhe humanizmi.
“Veprimet tuaja të guximshme dhe profesionale janë një shembull i mirë dhe një burim i madh frymëzimi për të gjithë zyrtarët policorë që mbajnë këtë uniformë anembanë vendit”, tha Hoxha.
Ai theksoi se policët “nuk hezituan në asnjë sekondë”, por me veprimet e tyre arritën të shpëtojnë jetë njerëzish në momente kritike.
Sipas Policisë së Kosovës, ky akt konsiderohet dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm të zyrtarëve policorë ndaj sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve.
