Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ka nisur zyrtarisht procesi për themelimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës.
Sveçla ka theksuar se, në cilësinë e ministrit, ka nënshkruar vendimin për krijimin e grupit punues që do të analizojë dhe propozojë modalitetet për funksionimin e kësaj strukture të re të sigurisë, e cila do të veprojë si agjenci në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Xhandarmëria e Republikës së Kosovës po bëhet. Si Ministër i Punëve të Brendshme sot kam nënshkruar themelimin e grupit punues i cili do të bëj analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si Agjencion i Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.
Ish hetuesi, Agim Rexhepi, e ka vlerësuar si një hap strategjik nismën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për themelimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës.
Në një prononcim për “Bota sot”, Rexhepi ka thënë se krijimi i një force të tillë do të forconte ndjeshëm arkitekturën e sigurisë dhe rendit publik në vend.

Agim Rexhepi
“Nisma e Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla për themelimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës mund të vlerësohet si një hap strategjik në forcimin e arkitekturës së sigurisë dhe rendit publik në vend. Në shumicën e shteteve demokratike, xhandarmëria është një forcë e ndërmjetme mes policisë civile dhe strukturave ushtarake, e specializuar për menaxhimin e situatave me rrezik të lartë, kontrollin territorial dhe reagimin në raste krizash”, ka thënë ai.
Sipas Rexhepit, themelimi i Xhandarmërisë do të sillte përfitime të shumta për sigurinë e Kosovës.
“Themelimi i Xhandarmërisë së Kosovës do të sillte disa përfitime të rëndësishme në aspektin e sigurisë:
forcim të kapaciteteve shtetërore për reagim të shpejtë në situata të ndjeshme të sigurisë;
kontroll më efikas në zonat kufitare dhe në pikat me risk të lartë;
mbështetje operative për Policinë e Kosovës në rastet e trazirave, kontrabandës, krimit të organizuar dhe operacioneve të rrezikshme;
rritje të prezencës së shtetit në çdo pjesë të territorit;
koordinim më të avancuar me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë”, ka shpjeguar ai.
Ai ka potencuar se një strukturë e tillë do të ishte veçanërisht e rëndësishme për Kosovën, duke pasur parasysh sfidat e vazhdueshme të sigurisë dhe nevojën për të luftuar kontrabandën dhe krimin e organizuar.
Po ashtu, ka treguar se cili është dallimi në mes të Xhandarmërisë, Policisë së Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
“Një Xhandarmëri funksionale do të ishte veçanërisht e rëndësishme për Kosovën, duke marrë parasysh sfidat e vazhdueshme të sigurisë në veri të vendit, luftën kundër kontrabandës, krimit të organizuar dhe nevojën për ruajtjen e rendit kushtetues në situata të jashtëzakonshme.
Sa i përket dallimit mes Xhandarmërisë, Policisë së Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, është me rëndësi të kuptohet se secila strukturë ka mandat të ndryshëm.
Policia e Kosovës është institucion civil për rend dhe ligj. Ajo merret me hetime, patrullime, trafik, krime të zakonshme dhe ruajtjen e rendit publik në baza ditore. Megjithatë, policia nuk është gjithmonë e trajnuar apo e pajisur për operacione me intensitet të lartë, kontroll territorial në zona të tensionuara apo reagime të zgjatura paramilitare.
Ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës ka mandat kryesisht ushtarak dhe mbrojtës: mbrojtjen territoriale, operacionet ushtarake, reagimin ndaj emergjencave natyrore dhe mbështetjen në raste krizash kombëtare. FSK-ja nuk është forcë policore dhe nuk mund të angazhohet rregullisht në zbatimin civil të ligjit apo operacionet e përditshme të rendit publik.
Pikërisht këtu hyn roli i Xhandarmërisë — si urë lidhëse mes policisë dhe forcës ushtarake”, ka shtuar ai.
Tutje, Rexhepi ka renditur edhe detyrat specifike që, sipas tij, do të mund t’i kryente Xhandarmëria.
“Detyrat specifike që zakonisht kryen një xhandarmëri, e që Policia e Kosovës apo FSK-ja nuk mund t’i kryejnë plotësisht ose në mënyrë optimale, përfshijnë:
operacione të specializuara në zona me tension të lartë;
kontroll dhe sigurim të kufijve në situata të jashtëzakonshme;
reagim ndaj trazirave masive dhe krizave të sigurisë;
mbrojtje të objekteve strategjike shtetërore;
operacione kundër grupeve të armatosura apo kontrabandës së organizuar;
patrullim të armatosur në zona rurale ose kufitare;
mbështetje taktike për policinë në operacione me rrezik të lartë;
rikthim i rendit kushtetues në raste destabilizimi”, ka theksuar ai.
Në fund, ai ka nënvizuar se themelimi i kësaj force duhet të bëhet me transparencë të plotë dhe në përputhje me Kushtetutën.
“Nëse organizohet mbi standarde profesionale, me mandat të qartë ligjor dhe nën kontroll demokratik institucional, Xhandarmëria e Kosovës mund të bëhet një mekanizëm modern sigurie, i cili jo vetëm që forcon rendin dhe ligjin, por edhe rrit sovranitetin dhe kapacitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.
Megjithatë, është shumë e rëndësishme që themelimi i saj të bëhet me transparencë të plotë, pa mbivendosje kompetencash me Policinë e Kosovës apo FSK-në, dhe gjithmonë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet euro-atlantike të sigurisë”, ka përfunduar Rexhepi.
