Lajme

Thumbimi i Hysajt: Kësaj Shqipërie duhet t’i kthehet entuziazmi para Europianit kur ishte kënaqësi të rrije në Kombëtare

Elseid Hysaj mendon se humbja përballë Çekisë, ishte ndeshja e vetme e dobët që kanë bërë kuqezinjtë deri tani në Ligën e Kombeve. Duke folur pas ndeshjes, ai theksoi se mungesa e entuziazmit si para Europianit ishte ajo që po ndikonte paraqitjet e kuqezinjve.

“Besoj që kjo është ndoshta e vetmja ndeshje që e kemi bërë pak keq se me Ukrainën e Gjeorgjinë kemi bërë mirë. Pastaj nëse Gjeorgjia bëri supergol e fituan ndeshjen nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Por sot besoj me të vërtetë që ishte një ndeshje poshtë nivelit tonë dhe e treguam. Duhet të jemi në kokën tonë që ta dimë që kemi arritur në nivel të lartë e na marrin seriozisht. Nuk është si dikur që po luajmë më Shqipërinë e na marrin më lehtë. Por e dinë të gjithë tashmë që jemi një skuadër e mirë, një skuadër që provojmë të luajmë futboll e fitojmë ndeshjen. Sot Çekia kishte ndoshta më shumë qejf të fitonin ndeshjen se që në minutat e parë treguan agresivitet të lartë ndaj nesh.

Duhet të jemi të qetë në fushë, se kemi treguar të bëjmë sesbën golin, të kemi qetësi, se me rezultatin 1-0, mund të shënonim 1-1 e ndoshta në fund fitonim ndeshjen se nuk i dihet kurrë futbollit. Kjo është një lojë që luan 90 minuta e mund të ndryshojë një sekondë, duhet të jemi të qetë, të kuptojë që kemi bërë gabim këtë ndeshje e të jemi të përqendruar në ndeshjen tjetër se kemi mundësi të bëjmë pikë.

Nuk jam keq, se stërvitem gjithmonë me Lacion jam në ekip, nuk jam jashtë. Thjesht nuk luaj në fundjavë, por ka punuar me vetveten, bëj vrapimet e mia. Normale nuk është njëlloj si ndeshja, por mundohem të bëj më të mirën që mundem kur vij në Kombëtare.

Me Gjeorgjinë 1-0 mbaroi ndeshja, nuk besoj se kemi qenë aq të lodhur në mbrojtje, se ata bënë një supergol. Ne luajtëm lojën tonë, kishim rastet tona e nuk i shfrytëzuam mirë. Kësaj Shqipërie duhet t’i rritet entuziazmi që kishim para Europianit, që ishte kënaqësi si të luaje ndeshje, si të rrije në kombëtare, si të dëgjoje tifozët, se na mbështetin shumë. Dhe na vjen keq që biem pre e kësaj pakënaqësie a nuk e di se çfarë mund të jetë, se është me të vërtetë një nder ku vjen këtu se vërtet kalojnë vitet e ndoshta pastaj do të mungojë kjo pjesë”, tha Hysaj për :SuperSport”.