Lajme

Torres kritikon kërkesat e Vuçiqit për Kosovën

Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, ka reaguar pas fjalimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ky i fundit shpalosi shtatë kërkesa për Kosovën.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Torres ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është “në anën e gabuar të historisë”.

Torres ka kritikuar kërkesat e Vuçiqit për Kosovën, të cilat përfshijnë kthimin në një status ku Kosova do të hiqte dorë nga sovraniteti i saj.

Sipas Torres, një kthim i tillë nuk do të ndodhë kurrë, pasi Kosova është dhe do të mbetet shtet i pavarur, me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Serbia po kërkon që Kosova të dorëzojë sovranitetin e saj dhe të kthehet në “status quo ante”. Nuk do të ketë një rikthim të tillë. Kosova është një vend i pavarur dhe do të mbetet i tillë në përjetësi, e ndihmuar nga miku i saj më i madh: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Historia është në anën e pavarësisë së Kosovës. Aleksander Vuçiq është në anën e gabuar të historisë”, ka shtuar Torrres në X.