LifeStyle

Tragjedi në Kanada, çifti i influencerëve humbin jetën pasi ranë me makinë nga një shkëmb

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në provincën e Kolumbisë Britanike, Kanada, ku çifti i njohur i influencerëve, Stacey Tourout dhe Matthew Yeomans, të dy 31-vjeçarë, kanë humbur jetën pasi automjeti i tyre u rrëzua nga një shkëmb pranë liqenit Trout.

Dyshja, që kishin nisur lidhjen në vitin 2019, ishin bërë të njohur në rrjetet sociale për aventurat dhe udhëtimet e tyre anembanë botës, duke mbledhur mijëra ndjekës. Projekti i tyre më ambicioz ishte realizimi i rrugës legjendare Panamerikane nga Kanadaja deri në jug të Argjentinës me një Toyota Chinook, por ky udhëtim nuk u arrit kurrë të përfundonte.

Komunikata zyrtare mbi aksidentin

Autoritetet kanadeze raportuan se më 7 gusht, rreth orës 18:30, u mor një telefonatë urgjente për një aksident të rëndë pranë Silver Cup Ridge, afër liqenit Trout. Menjëherë në vendngjarje u nisën dy ekipe shpëtimi tokësore, të mbështetura nga një njësi dhe një helikopter lokal.

Kur ekipet mbërritën, gjetën njërin prej tyre të pajetë, ndërsa tjetri ishte rëndë i plagosur dhe pa ndjenja. Ai u transportua me helikopter në spitalin e Nakusp, por fatkeqësisht ndërroi jetë po atë natë.

Image

Reagimi i familjes

“Familjet e Matthew Peter Yeomans dhe Stacey Tourout duan të bëjnë të ditur me trishtim të madh se i kemi humbur tragjikisht, pasi u dorëzuan ndaj plagëve të marra në një aksident në malet e mrekullueshme të Kolumbisë Britanike, një vend që ata e adhuronin”, shkruan të afërmit në një komunikatë.

Një pasion i kthyer në stil jete

Çifti, që fshihej pas profilit Toyota World Runners (TWR), vitin e kaluar vendosën të tregonin fytyrat e tyre për herë të parë në Instagram, duke prezantuar publikisht projektin e tyre të madh: ndërtimin në vetëm 100 ditë të Cruiser Chinook, një version unik i Land Cruiser-it, me të cilin donin të përshkonin botën.

“Ne jemi Matthew dhe Stacey. U njohëm përmes një makine Toyota të vjetër dhe që prej asaj kohe makina është bërë pjesë e gjakut tonë. Synimi ynë është të përshkojmë Panamerikanen dhe më pas gjithë botën me këtë mjet që kemi ndërtuar”, shkruanin ata.

Përmes platformave të tyre, dyshja ndanin filma udhëtimi në YouTube, histori dhe përjetime, duke frymëzuar ndjekësit të zbulonin një mënyrë tjetër të të jetuarit: “Jo thjesht të jetosh në botë, por me botën”.

Tragjedia e tyre ka lënë pas një boshllëk të madh në komunitetin e aventurierëve dhe ndjekësve të tyre, që i kishin kthyer Matthew dhe Stacey në simbol të lirisë dhe eksplorimit pa kufij.

Image

Të Ngjashme