Një ngjarje tragjike ka tronditur Italinë, ku në orët e para të mëngjesit është gjetur e vdekur një 18-vjeçare, ndërsa shoqja e saj ndodhej në gjendje kritike pranë saj.
Vajzat janë gjetur në rrugën “Ottavio Bonomi” në qytetin e Pavias, teksa pranë tyre ndodhej edhe një motor skuter. Ajo që e ka bërë më të mistershme ngjarjen është se nga inspektimi i vendit, nuk kanë rezultuar shenja aksidenti.
Sipas hetuesve italianë që kanë rindërtuar skenën e ngjarjes, dyshohet se vajzat kanë qenë duke ecur me motor, kur të dyja janë ndjerë keq njëkohësisht dhe kanë rënë.
Në mëngjes ato u gjetën të shtrira në asfalt, dhe ndonëse u dërguan menjëherë në urgjencë, 18-vjeçarja nuk arriti të mbijetonte. Ndërsa shoqja e saj pësoi arrest kardiak dhe ndodhet në reanimacion, ndonëse gjendja e saj po përmirësohet.
Dyshimet janë se vajzat mund të kenë konsumuar ndonjë lloj substance, që ka përkeqësuar shëndetin e tyre. Për këtë janë urdhëruar kryerjet e testeve të toksikologjisë.