Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e së dielës në fshatin Muhovc të Ferizajt, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i lënduar.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për IndeksOnline se aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:30.
“Sot, më datën 09.08.2026, rreth orës 16:30, Policia ka pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime të rënda, i cili ka ndodhur në fshatin Muhovc të Ferizajt”, tha Veseli.
Veseli bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të stacionit policor dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, ndërsa është njoftuar edhe Emergjenca Mjekësore.
Në aksident është përfshirë një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin dy persona. Si pasojë e përplasjes, njëri prej tyre ka humbur jetën, ndërsa personi tjetër ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim në Emergjencën e Ferizajt.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa njësitet kompetente të trafikut kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
