Familja e Haki Imeri ka reaguar publikisht lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, duke theksuar nevojën që Kosova të udhëhiqet nga një figurë që buron nga vlerat më të larta të sakrificës, unitetit dhe idealit kombëtar.
Në reagimin e saj në Facebook, familja vlerëson se në këtë moment të rëndësishëm për shtetin, posti i Presidentit duhet t’i besohet një personaliteti që mishëron trashëgiminë historike dhe morale mbi të cilën është ndërtuar liria e vendit, përcjell “Bota sot”.
Sipas tyre, një udhëheqës që vjen nga familja legjendare Jashari ka një domethënie të veçantë për popullin dhe për vetë shtetin. Duke kujtuar sakrificën sublime të komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, reagimi thekson se ky trashëgim historik përfaqëson themelet morale të lirisë së Kosovës dhe duhet të shërbejë si udhërrëfyes për drejtësinë, dinjitetin dhe përgjegjësinë shtetërore.
Në këtë kontekst, familja e Haki Imerit e sheh Murat Jashari si figurën që mund ta mishërojë këtë trashëgimi dhe ta kthejë atë në vizion shtetformues, duke e cilësuar si garanci morale për unitetin, stabilitetin dhe besimin institucional në vend.
Shkrimi i plotë
Miq,
-Kosovës i duhet një President që buron nga vlerat më të larta të sakrificës, unitetit dhe idealit kombëtar.
-Në këtë rrugëtim historik për forcimin dhe ndërtimin e shtetit, figura e një udhëheqësi që vjen nga familja legjendare Jashari ka një domethënie të veçantë për popullin dhe për vetë shtetin e Kosovës.
-Familja Jashari, e udhëhequr nga ideali i lirisë dhe e vulosur në histori me sakrificën sublime të komandantit madheshtor Adem Jashari me familje , përfaqëson themelet morale mbi të cilat u ndërtua liria e Kosovës.
-Ky trashëgim historik nuk është thjesht simbolik; ai është një udhërrëfyes për drejtësinë, dinjitetin dhe përgjegjësinë shtetërore.
-Në rrethanat aktuale politike dhe shoqërore, Murat Jashari paraqitet si figura e vetme që mund ta mishërojë këtë trashëgimi dhe ta kthejë atë në vizion shtetformues.
-Ai përfaqëson vazhdimësinë e idealeve të lirisë, por edhe nevojën për stabilitet, unitet dhe besim institucional.
-Një President që vjen nga kjo familje nuk është vetëm një emër apo mbiemër i njohur, por një garanci morale për shtetin.
-Është një mesazh i fuqishëm për qytetarët dhe për botën se Kosova respekton rrënjët e saj, sakrificën e saj dhe e ndërton të ardhmen mbi vlera të qëndrueshme.
-Prandaj, sot më shumë se kurrë, Kosovës i duhet një President që bashkon historinë me të ardhmen dhe Murat Jashari është figura që, në këto rrethana, mund ta përmbushë këtë mision historik.
