LifeStyle

​Trendi viral që po shqetëson psikologët, si ndikon “AI Crying Food” te fëmijët

Trendi “AI Crying Food”, ku krijohen video të ushqimeve që duken “të gjalla” dhe shprehin emocione njerëzore, kryesisht duke qarë, bërtitur ose duke u shfaqur të frikësuara, po bëhet gjithnjë e më viral në rrjetet sociale.

Video të gjeneruara nga inteligjenca artificiale të ushqimeve të ndryshme që u “bërtasin” njerëzve janë kudo në TikTok dhe Instagram. Ato tregojnë fruta, perime dhe sende shtëpiake të animuara me fytyra që u “flasin” përdoruesve dhe japin këshilla.

Videot – të gjitha me kohëzgjatje rreth një minutë – kanë grumbulluar miliona pëlqime dhe shikime, vetëm një muaj pasi u shfaqën për herë të parë në platformën e mediave sociale.

Për këto video të gjeneruara me inteligjencë artificiale, psikologia për fëmijë, Kristina Halilaj, thotë se ndikimi i tyre në psikologjinë e fëmijëve mund të jetë shumë i madh.

Ajo thotë për KosovaPress, se edhe fëmijët më të vegjël se dy vjeç, të cilët po ekspozohen ndaj telefonit, konsumimi i këtyre përmbajtjeve më vonë mund të ndikojë në konfuzionin e tyre në dallimin mes reales dhe fantazisë.

Halilaj: Trendi “AI Crying Food” te fëmijët ndikon në ankthin e braktisjes ose ndarjes

Më mirë me thanë katër deri në shtatë vjet, këto informacione ndikojnë në ankth të braktisjes ose ankthi i ndarjes te fëmija. Marrë parasysh dredhzën kur e sheh edhe e sheh duke bërtitur dhe qajtur, momentin që ndahet prej dredhzës tjetër, ai e merr si ndjenjë edhe mundet të filloj të ketë fobi në të ushqyerin e dredhzës, domethënë për me hangër dredhzën, sepse ai mendon që ajo po ndjen, ajo ka sy dhe po e din çka po ndodh…. … Antropomorfizmi i dhunshëm, duke iu dhënë shpirt objekteve që janë pa shpirt dhe pa ndjenja, duke ju dhënë emocione të forta, fëmija përjeton si shok, edhe pse fillimisht duken si filma të animuar. Fëmija thjesht e kalon automatikisht një shok emocional dhe e lë fëmijën me ankth se çka ka ndodhë me dredhzën, me patatën ose kur e sheh shpagetin duke u zi, edhe aty vala që del, taman traumatike për fëmijën, duke bërtitur ….. Edhe kur ato bërtasin: Mami ndihmë, kam frikë, çka po ndodh me ne? Ai automatikisht e percepton si ndjenjë të veten dhe fëmija mundet me mendu realisht që çka po ndodh me mua, a ka me pas edhe unë një ndarje me prind të mi, në këtë formë e kështu me radhë”, u shpreh ajo.

Ekspozimi i fëmijëve ndaj këtyre përmbajtjeve mund të ndikojë edhe në çrregullime të lehta në të ngrënë, ku sipas psikologes ndikojnë edhe në mënyrën se si disa fëmijë i përjetojnë më ndjeshëm situatat reale.

Halilaj: Ekspozimi i fëmijëve ndaj trendit “AI Crying Food” mund të çojë në çrregullime në të ngrënë

Prej tetë deri në dymbëdhjetë vjet, fëmija mundet me e ditë çfarë po ndodh, mundet me e kuptu çfarë është inteligjenca artificiale, por në këtë moshë fëmija ka empati shumë aktive dhe e ndjen që diçka sapo vdiq realisht, në një video, unë po e ha atë. Edhe kur e merr që po e hanë, mundet të filloj të mendoj që mos po ndjen dhe me i klasifiku ushqimet që ky i ka përjetu më shumë në video, qoftë dredhza, qoftë patatet, qoftë bananja, qoftë diçka që ai e ka përjetu më shumë më thellë, sidomos këta që janë para shtatë vjeç mundën me pas fobi dhe me pas çrregullime të lehta në të ngrënë…… Ndërsa prej trembëdhjetë deri pesëmbëdhjetë vjeç mundet me pas destabilizim….. Te disa fëmijë mundet me ndiku që edhe ndjenjat reale madje mos m’i përjetu shumë, edhe disa fëmijë tjerë që janë më empatik, pas moshës trembëdhjetë deri pesëmbëdhjetë vjeç, këto mundet me i rritë hiperndjeshmëria, munden të jenë shumë më të ndjeshëm edhe në situata të tjera”, tha Halilaj.

Ndërkaq, ajo përmend edhe shenjat që prindërit mund t’i vërejnë kur këto përmbajtje ndikojnë te fëmijët.

Halilaj: Refuzimi i ushqimit, shenja të ndikimit të trendit “AI Crying Food”

Fëmija në këtë moshë, prej katër vjeç e tutje, zakonisht nënat po i çojnë edhe në kopsht dhe e kalojnë këtë fazën e ankthit të ndarjes, kur ndahet me nënën. Por nëse për një kohë i paraqitet prapë, ose rikthehet ankthi, nëna kur do me dalë ose frika që nëna po shkon dikun, mundet me ditë që diçka nuk është duke shkuar në rregull, sepse duhet me gjet arsyen pse po i ndodh kjo. Ose në momentin kur e selekton një ushqim, thotë jo këtë nuk e ha më, nëse ka hangër ma herët dhe nuk e ha më, nëse e sheh brokullin që e ka hangër edhe u ushqy shëndetshëm me ta dhe kur vendos mos me hëngrëm atë, ne duhet me ditë rrethanat dhe faktorët pse nuk po e hanë fëmija më”, tha ajo.

Psikologia këshillon prindërit që të kujdesën se çfarë po shikojnë fëmijët, sepse ndonjëherë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, fëmijët mund t’i shohin ato video për të cilat ndoshta as prindërit nuk janë në dijeni që po ndodh diçka e tillë.

Halilaj: Prindërit duhet të monitorojnë çfarë shikojnë fëmijët në telefon

E prindërit çka duhet me bërë është që gjithmonë bashkëpunim me fëmijën duhet me pa çka po i jep fëmijës me shiku, pavarësisht që momentin kur e sheh në reels, fëmija deshi apo nuk deshi, ka me dalë diçka që nuk është e përshtatshme, por momentin që na e fokusojmë në YouTube një film të animuar dhe ai e sheh që është për një orë ose njëzet minuta, momentin që ia jep fëmijës e dinë saktë se brenda atyre njëzet minuta çka ka me pa. Por kur në momentin ia japim fëmijës telefonin dhe na nuk jemi në dijeni çka po vazhdon, atëherë normal që duhet me u kanë të shqetësuar prindërit, sepse në mënyrë të pavetëdijshme, ndoshta prindi as nuk është i informuar për këtë pjesën se çka po ndodh ose çka janë këto dhe nëse i ka pa ato sekonda, ajo veç e ka tejkalu vetë.”, tha Halilaj.

E në fund, Halilaj thekson dëmin e madh që mund të kenë fëmijët gjatë jetës pas konsumimit të videove të shkurta në përgjithësi, e sidomos të atyre që kanë edhe përmbajtje të Inteligjencës Artificiale.

Halilaj: Ekspozimi i tepërt ndaj reels-ave mund të ndikojë në zhvillimin dhe socializimin e fëmijëve

Këto nuk janë filma të animuar që mund ta ndihmojnë fëmijën, sepse janë shumë të shkurta dhe fëmijëve ju krijon një shok emocional…… Reels-at tek zhvillimi kognitiv i fëmijëve ndikojnë domethënë në mosrealizimin e emocioneve, me i shpreh emocionet, sepse ato janë shumë të shkurtra edhe aspekti kognitiv, truni e percepton senet shumë shkurtër dhe çdo informacion që don me marrë fëmija do t’i marrë krejt shkurt. Edhe nëse ne duam të bëjmë një lojë, ai nuk mundet me mbërri me kry një lojë deri në fund, sepse është mësuar për një sekuencë të shkurt me përjetu kënaqësinë ose me marrë informacionin….. Truri i njeriut zhvillohet goxha shumë deri në moshën dyvjeçare dhe prej dyvjeçare nëse me reels-a stagnon edhe fillon mos me kuptu realitetin domethënë me lojë, me socializim, me komunikim me nënën, me ndërveprim social, përpos shikimit të reels-ave, e kufizon shumë trurin, domethënë munden me fol me vonesë, munden me pas probleme në socializim, munden me pas probleme kognitive më vonë, që ndoshta më pas edhe me mendu që ka edhe probleme neurozhvillimore”, tha ajo.

Përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në rrjetet sociale dhe shpesh arrijnë miliona shikime brenda një kohe të shkurtër.

Trende të tilla karakterizohen nga video shumë të shkurtra dhe me elemente të forta emocionale, të cilat janë të dizajnuara për të tërhequr menjëherë vëmendjen e shikuesit.

Të Ngjashme