Ishte nisur në drejtim të Prishtinës.
Por me të mbërritur në afërsi të kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës u ndesh me një veturë.
Vetura që po drejtohej nga një ushtar i FSK-së, këtë të premte u zhvendos disa metra tutje si pasojë e goditjes nga treni.
Nga Policia e Kosovës konfirmuan për televizionin se me rastin po merret Njësiti i Trafikut Rajonal.
“Rreth orës 16:00 kemi pranuar informatën për një aksident në afërsi të Kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një tren dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit, një person është lënduar. Me rastin po merret Njësiti i Trafikut Rajonal”, thuhet nga Policia.
Televizioni mëson se i lënduari është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por këta të fundit nuk kanë kthyer një përgjigje.
Vetëm në 24 orët e fundit, në Kosovë janë bërë 17 aksidente me të lënduar, ndërsa 33 me dëme materiale.
