Brenda vetëm një dite, pesë punonjës të ndërmarrjes “Trepça” mbetën pa vend pune.
Vendimi u mor nga menaxhmenti.
Arsyeja sipas ndërmarrjes ndërlidhet me mungesën e këtyre punonjësve në punë dhe marrja e pagave pa qenë prezent.
Sipas njërit prej njoftimeve, një nga punëtorët mungoi për shtatë muaj.
E një tjetër për mbi 28 ditë rresht.
Rastet u evidentuan gjatë një kontrolli të brendshëm.
Në njoftimin e ndërmarrjes “Trepça”, theksohet se të gjitha largimet u bënë në përputhje me rregulloren.
“Sipas kësaj rregulloreje, shkelje e rendë konsiderohet mungesa në punë pa arsye tri ditë rresht ose pesë ditë brenda 12 muajve. Bazuar në raportet zyrtare, i njëjti ka munguar mbi 7 muaj”.
Megjithatë, me këto vendime nuk po pajtohen në Sindikatën e Punëtorëve.
“Komisionet disiplinore po veprojnë në menyrë selektive dhe të njëanshme, nën ndikim dhe direktiva, jo mbi bazë të ligjit, fakteve dhe rregulloreve.Minatorëve po u mohohet e drejta në morojtje, në informim të drejtë dhe në trajtim të barabartë në raportet e punës. Në këtë situatë, institucionet përgjegjëse po heshtin dhe po vonohen në reagim”.
Nga sindikata kanë theksuar se do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore për t’i kundërshtuar këto largime nga puna.
Tëvë1 ka tentuar që të marr një sqarim më të detajuar nga menaxhmenti i Trepçës, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.
Njëjtë ka vepruar edhe ministria e Ekonomisë, dikaster qeveritar nën të cilën funksionojnë ndërmarrjet publike në vend.
Këto nuk janë largimet e para nga puna, pasi menaxhmenti i Trepçës ka vepruar njëjtë edhe në disa raste të tjera në të kaluarën.
Kronikë e realizuar nga gazetarja Jona Kelmendi.


