Disa tregues fizikë të trupit mund të japin sinjale të hershme mbi rrezikun për zhvillimin e diabetit të tipit 2, një sëmundje metabolike afatgjatë që, nëse nuk trajtohet, mund të çojë në komplikacione serioze shëndetësore.
Për shkak se simptomat shpesh mungojnë ose janë shumë të lehta, shumë persona mund të jetojnë me këtë sëmundje për vite të tëra pa e ditur.
Diabetes UK u ka bërë thirrje njerëzve të vlerësojnë rrezikun personal duke monitoruar disa tregues kyç shëndetësorë, konkretisht: perimetrin e belit, tensionin e gjakut dhe peshën trupore. Edhe pse këta faktorë mund të sinjalizojnë një rrezik të shtuar, në shumicën e rasteve ata mund të përmirësohen me ndryshime të thjeshta në stilin e jetesës.
Perimetri i belit
Edhe pse diabeti i tipit 2 shpesh lidhet me mbipeshën, ai mund të prekë edhe persona me indeks normal të masës trupore (BMI). Sipas ekspertëve të Diabetes UK, grumbullimi i yndyrës në zonën e barkut është një sinjal alarmi i rëndësishëm, pavarësisht peshës totale.
“Mbajtja e peshës së tepërt rreth belit bën që yndyra të grumbullohet rreth organeve si mëlçia dhe pankreasi. Kjo mund të shkaktojë rezistencë ndaj insulinës, pasi insulina e ka më të vështirë të veprojë,” shpjegojnë specialistët.
Matjet e shëndetshme të belit janë më pak se:
80 cm për të gjitha gratë
94 cm për shumicën e burrave
90 cm për burrat e Azisë Jugore
Vlera mbi këto kufij tregojnë rrezik të shtuar për diabet. Aktiviteti fizik i rregullt dhe një ushqyerje e balancuar rekomandohen për uljen e perimetrit të belit.
Tensioni i gjakut
Tensioni i lartë i gjakut shpesh nuk jep simptoma, por rrit ndjeshëm rrezikun për probleme serioze shëndetësore, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe diabetin. Nga ana tjetër, personat me diabet kanë gjithashtu më shumë gjasa të zhvillojnë hipertension.
Ushqyerja luan rol kyç në kontrollin e tensionit të gjakut. Ulja e konsumit të kripës, alkoolit dhe kafeinës mund të ndihmojë në normalizimin e vlerave. Faktorë të tjerë si pirja duhanit, stresi dhe mbipesha ndikojnë gjithashtu në rritjen e tensionit.
Matja e tensionit mund të bëhet lehtësisht në farmaci, qendra shëndetësore, klinika private apo edhe në shtëpi, me aparate matëse personale.
Pesha trupore
Sipas Diabetes UK, mbipesha apo obeziteti nuk janë shkaku i vetëm i diabetit të tipit 2, por janë faktorë të rëndësishëm rreziku. Organizata thekson se keqkuptimet rreth peshës shpesh çojnë në stigmatizim, gjë që i pengon njerëzit të kërkojnë ndihmë mjekësore në kohë.
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar Britanik (NHS) ofron një kalkulator online për BMI-në, i cili ndihmon në përcaktimin nëse një person është në peshë normale, mbipeshë apo obez. Përllogaritja bazohet në gjatësinë dhe peshën trupore dhe shoqërohet me këshilla për menaxhimin e shëndetshëm të peshës.
Ekspertët theksojnë se ndryshime të vogla, por të qëndrueshme në stilin e jetesës, mund të ulin ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e diabetit të tipit 2.
