Lajme

Tri raste të dhunës në familje brenda një dite në Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë

Tri raste të dhunës në familje janë raportuar më 10 tetor në Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë, ku si pasojë janë arrestuar katër persona, përcjell Bota sot.

Sipas raportit të Policisë, në Gjakovë, rreth orës 11:00, janë arrestuar dy persona të dyshuar për ushtrim të dhunës psikike ndaj një gruaje, e cila është bashkëshortja e njërit dhe reja e tjetrit. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Rahovec, rreth orës 19:53, është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se, nën ndikimin e alkoolit, ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Një rast tjetër është raportuar në Malishevë, rreth orës 19:00, ku një grua është arrestuar nën dyshimin se, pas një mosmarrëveshjeje, ka sulmuar fizikisht vëllain e saj. Edhe në këtë rast, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara është dërguar në mbajtje pas intervistimit, me vendim të prokurorit.

Të Ngjashme