Problemet me gjumin janë bërë gjithnjë e më të zakonshme në ditët e sotme, kryesisht për shkak të stilit të shpejtë dhe të ngarkuar të jetesës, stresit, ankthit dhe faktorëve të tjerë që mund të shfaqen gjatë natës.
Shpesh, këto shqetësime janë të përkohshme dhe mund të lidhen me periudha stresuese, por kur ndryshimet në gjumë bëhen të zakonshme ose intensive, mund të jetë koha për të vënë re dhe për të kërkuar ndihmë profesionale.
Një faktor që ndikon në cilësinë e gjumit është menopauza, veçanërisht për femrat, ku ndryshimet hormonale mund të shkaktojnë vështirësi në fjetje. Sidoqoftë, organizata Blood Cancer UK paralajmëron se disa probleme me gjumin mund të jenë shenja të diçkaje më serioze, siç mund të jenë disa lloje të kancerit të gjakut.
Ekspertët theksojnë se, megjithëse ndryshimet në modelet e gjumit janë të zakonshme dhe shpesh nuk janë të lidhura me sëmundje serioze, është e rëndësishme të mos i anashkaloni disa simptoma që mund të tregojnë probleme më të thella shëndetësore.
Ndërsa këto simptoma mund të jenë të lidhura me gjendjen tuaj emocionale ose fizike, ata mund të jenë gjithashtu një tregues i mundshëm i kancerit të gjakut.
Leuçemia, limfoma dhe mieloma janë tri llojet më të zakonshme të kancerit të gjakut, dhe ato mund të ndikojnë në cilësinë e gjumit.
Leuçemia shkaktohet nga rritja e pakontrolluar e qelizave në gjak ose palcën e kockave, ndërsa limfoma përfshin nyjet limfatike dhe mieloma prek qelizat plazmatike në palcën e kockave.
Të gjitha këto mund të shkaktojnë dhimbje, gulçim, vështirësi në frymëmarrje dhe gjithashtu mund të ndikojnë në cilësinë e gjumit për shkak të simptomave të shoqëruara me këto kushte.
Disa nga simptomat kryesore që mund të ndikojnë në gjumin dhe që mund të jenë shenja të mundshme të një problemi më serioz, ku përfshijnë djersitje intensive gjatë natës që i zgjon personat nga gjumi, ndjenja e lodhjes edhe pas orëve të gjumit dhe vështirësia për të fjetur ose qëndruar në gjumë pa një shkak të dukshëm.
Edhe pse shumë prej këtyre simptomave mund të lidhen me faktorë të tjerë dhe nuk janë domosdoshmërisht tregues të kancerit, është e rëndësishme që të konsultoheni me një mjek për të përjashtuar mundësinë e kushteve më të rënda shëndetësore, veçanërisht kur këto simptoma vazhdojnë për një periudhë të gjatë. Syri.net-iefimerida
