LifeStyle

Tri sportet antistres për një trup të tonifikuar dhe një mendje të fortë

Aktiviteti fizik është një nga mënyrat më të mira për të lehtësuar tensionin dhe për të forcuar muskujt. Qoftë në ujë apo në tokë, sporti përmirëson formën fizike dhe ndihmon në ndërtimin e një mendjeje më të fortë e më të qëndrueshme emocionalisht.

Shpesh kur ndihesh i rraskapitur, dëshira e vetme është të shtrihesh në divan. Por nuk duhet t’u nënshtrohesh thirrjeve mashtruese të stresit apo mërzisë. Vish atletet, merr frymë thellë dhe fillo të lëvizësh.

“Sporti është një zgjidhje e provuar kundër stresit dhe mund të përshtatet me nevojat e tua për të larguar ankthin dhe tensionin”, shpjegon Milane Taboada Pereira, eksperte e shkencave të lëvizjes, masoterapiste dhe trajnere. Sipas saj, sportet si noti, joga apo kërcimi me litar kanë vlera të mëdha antistresi dhe secili sjell përfitime të ndryshme.

1. Sportet në ujë, jo vetëm not

Kur i kushtohesh aktivitetit fizik, i gjithë trupi përfiton: muskuj më të lëvizshëm, trup më i tonifikuar, kapacitet më i lartë kardiak dhe respirator, si dhe qetësimi që ofron uji. Por në pishinë nuk duhet të kufizohesh vetëm me stilin bretkosë apo shpinë. “Pothuajse të gjitha sportet ujore kanë vlerë kundër stresit. Nëse të pëlqen të lëvizësh, të kërcesh e të lodhesh, provo ‘aqua running’ (vrapim nën ujë) ose ‘aqua cycling’ (çiklizëm në ujë). Për forcën të barkut, ekziston ‘aqua crunch’. Nëse këto janë shumë intensive, ‘aquagym’ është zgjedhja ideale, klasike dhe efektive”, thekson Taboada Pereira.

Image

2. Djersit për të larguar ankthin

Kur rutina e përditshme bëhet e rëndë dhe ndien se stresi po të mposht, është koha për të çliruar energjitë e akumuluara. “Nëse je një person energjik, zgjidh një sport që të ndihmon të djegësh energji. Një palë atlete të mira dhe një litar kërcimi mund të jenë mjaftueshëm për të djegur kaloritë dhe frustrimet, duke nxitur prodhimin e endorfinës, hormonit të lumturisë.”

Efekti është një mendje e qetë, një sistem nervor i gjallëruar dhe një vetëbesim më i madh. Nëse kërcimi me litar nuk është për ty, provo vrapin, ecjen, biçikletën, ‘indoor cycling’ ose aktivitete të tjera kardio apo fitnesi.

Image

3. Yoga dhe sportet e ekuilibrit mendor

Për të ruajtur një ekuilibër mes trupit dhe mendjes, yoga është një praktikë thelbësore. “Lëvizjet e saj të ngadalta dhe të kontrolluara aktivizojnë muskujt dhe trurin, me fokus të veçantë në frymëmarrje. Rezultati? Lamtumirë mendimeve shpërqendruese dhe mirëseardhje një trupi të formuar dhe një vetëbesimi më të madh”, shpjegon ekspertja.

Por, përveç yogës, ka edhe disiplina të tjera që e theksojnë këtë qetësi të brendshme, si Qi Gong, Tai Chi, Capoeira dhe Yogalates, një kombinim mes yogës dhe pilates, ideal për më energjikët.

Në fund të fundit, nuk ka rëndësi çfarë zgjedh: e rëndësishme është të lëvizësh. Trupi dhe mendja do të të falënderojnë.

Image

Të Ngjashme