LifeStyle

Tri ushtrime për të mos u përfshirë nga humori i keq i partnerit

Këshillat e ekspertit për të mos e lënë veten të ndikoheni nga emocionet negative

“Kur i fejuari im është me humor të keq, do të doja ta ndihmoja, t’i ngrija moralin, por çdo herë përfshihem nga humori i tij dhe demoralizohem”

Gjendja shpirtërore e njerëzve që na rrethojnë mund të ndikojë pozitivisht ose negativisht. Humori është i ndryshueshëm. Kur jemi në momente trishtimi, ose euforie, mund t’ia transmetojmë këtë gjendje edhe të tjerëve. Shndërrohemi në një magnet, që është i aftë të tërheqë të tjerët nga frekuencat emotive. Por si të mos përfshihemi nga humori i keq i partnerit?

Ushtrimi i parë  |  Përqendrohuni në emocionet tuaja

Filloni duke u përqendruar në ndjesitë tuaja. I kuptoni qartësisht ato, apo jeni konfuzë? Provoni, kur jeni përballë partnerit, të kuptoni se çfarë ndjeni, sapo filloni të flisni më të. Dhe mbani një “ditar emocionesh”, një bllok të vogël. Ndajeni çdo faqe në dy kolona: majtas shënoni atë që ndodh (faktet, situatën, ngjarjet) dhe djathtas shënoni ndjenjat që i korrespondojnë. Kjo do t’ju lejojë të familjarizoheni me gjendjen tuaj shpirtërore dhe do të hedhë dritë mbi atë që ndjeni, pavarësisht nga humori i njerëzve që keni rreth e rrotull.

Ushtrimi i dytë  |  Dalloni ndjenjat tuaja

Me t’i kuptuar në mënyrë të qartë ndjenjat tuaja, vërini një emër gjithësecilës, por edhe një lloj nofke përkedhëlëse… Kombinojeni pastaj me një ngjyrë, imazh apo kafshë. Kërkojini partnerit të bëjë të njëjtën gjë me gjendjet e tij emotive. Do të jetë një lojë e këndshme dhe do t’ju ndihmojë të eliminoni barrierat e komunikimit.

Ushtrimi i tretë  |  Vini rregulla

Kur kuptoni që partneri është në humor të ndryshëm nga i juaji, kërkoni të ndiqni një “kod të sjelljes emotive”: vizualizoni referimin kromatik apo pamor me të cilin e keni shenjuar emocionin në fjalë (shiko ushtrimin pararadhës). Përpiquni ta ruani humorin tuaj të mirë dhe të keni kontroll mbi gjendjen tuaj emotive, përqendrohuni te vetja dhe merruni me një veprimtari që ju bën të ndiheni mirë. Provoni të përfshini në të edhe partnerin, por pa e detyruar. Gjithnjë duke respektuar zgjedhjen e tij.