Meteorologu Hakil Osmani, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “7pa5” në Vizion Plus ka bërë një parashikim të motit për fundjavën dhe fillimin e javës, ditën e hënë dhe të martë.
Osmani thotë se në zonat malore do të kemi reshje të pakta bore në fundjavë, por e hëna dhe e marta sjellin rritje të temperaturave të ajrit, duke bërë që të kemi temperatura më të larta se sa duhet të regjistrohen në muajin dhjetor.
Osmani: Dita e premte mbetet me mot të qëndrueshem. Do të ketë intervale të gjata me kthjellime gjatë paradites, ndërsa pasditja sjell vranësira, por nuk do të ketë reshje.
Dita e shtunë do të mbetet me mot të qëndrueshëm, do të ketë diell, kryesisht në ultësirën perëndimore, ndërsa në zonën malore do të ketë vranësira të pakta.
Vranësirat ditën e diel pritet të bëhen më prezente dhe në zonat veriore, veri-lindore priten reshje bore. Do të jenë në sasira të pakta dhe jo problematike.
Ditën e hënë dhe ditën e martë kemi sërish përmirësim të kushteve të motit.
Edhe pse sot kemi vlera minimale deri në -4 gradë Celsius, fundjava sjell një përmirësim të temepraturave.
Në zonat malore do të kemi temperatura -2 gradë celcius dhe maksimumet rreth 14 gradë celcius. Ndërsa dita e hënë dhe dita e martë jo vetëm do të sjellin motin me diell, por do të kemi dhe rritje të tempertaurave.
Në orët e mesditës do të kemi dhe tempertaura deri në 17 gradë celcius duke bërë që të kemi temperatura 2 apo 3 gradë më shumë se sa duhet të regjistrohen në muajin dhjetor.