Pamje të rënda të regjistruara nga një kamera sigurie tregojnë çastin dramatik, kur dy të rinj përfshihen nga një shpërthim i fuqishëm, teksa po kryenin veprime tepër të rrezikshme pranë fuçive metalike, që dyshohet se përmbanin mbetje nafte.
Ngjarja është regjistruar në 7 janar në Recife, kryeqyteti i shtetit Pernambuco në Brazil. Në video shihet njëri prej të rinjve duke qëndruar pranë një bidoni metalik të hapur, ndërsa tjetri ndodhet mbi një fuçi tjetër aty pranë. Sipas dyshimeve paraprake, brenda enëve kishin mbetur avuj ose substanca të ndezshme, të mjaftueshme për të shkaktuar shpërthim.
Fillimisht, njëri prej tyre përpiqet të ndezë bidonin e hapur me çakmak, por flaka shuhet shpejt dhe pa pasoja të dukshme. Pak çaste më vonë, shoku i tij përdor një çekiç për të çarë pjesën e sipërme të një bidoni të mbyllur, duke krijuar një hapje të vogël. Në momentin që çakmaku afrohet pranë fuçisë, ndodh shpërthimi i menjëhershëm. Fuçia ngrihet në ajër me forcë të madhe, ndërsa të dy të rinjtë hidhen disa metra larg. Njëri prej tyre përplaset me kokë mbi bidonin ku kishte qenë i ulur më herët, duke pasur dëmtime serioze.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të të rinjve. Ndërkohë, pamjet kanë qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të forta dhe duke u konsideruar si një shembull alarmues i pasojave që mund të sjellë neglizhenca ndaj materialeve të rrezikshme.


