Lejimi i qumështit naryral (të plotë, pra me yndyrë) dhe atij me 2% yndyrë në mensa, përmbys kufizimet e vendosura në “epokën Obama”.
Edhe pijet si qumështi i sojës i pasuruar me lëndë ushqyese, mund të përfshihen në menu në muajt e ardhshëm, pas miratimit të ligjit Whole Milk for Healthy Kids Act, i cili kaloi Kongresin vjeshtën e kaluar.
Vendimi u lejon shkollave që marrin pjesë në Programin Kombëtar të Drekës Shkollore të shërbejnë qumësht të plotë dhe qumësht 2% yndyrë, krahas qumështit pa yndyrë dhe atij me pak yndyrë, që ishin të detyrueshëm që prej vitit 2012.
“Qoftë demokrat apo republikan, qumështi i plotë është një gjë e shkëlqyer,” tha Trump gjatë ceremonisë së firmosjes në Shtëpinë e Bardhë, ku ishin të pranishëm ligjvënës, fermerë të qumështit dhe fëmijët e tyre.
Firmosja e ligjit vjen vetëm disa ditë pas publikimit të Udhëzimeve Dietike për Amerikanët 2025–2030, të cilat theksojnë konsumimin e produkteve të bulmetit me yndyrë të plotë si pjesë e një diete të shëndetshme. Botimet e mëparshme këshillonin që personat mbi moshën 2 vjeç të konsumonin bulmet me pak yndyrë ose pa yndyrë.
Në fillim të kësaj jave, Departamenti i Bujqësisë publikoi në rrjete sociale një foto të Trump me një gotë qumësht, shoqëruar me mesazhin: “Pini qumësht të plotë”.
Ndryshimi mund të hyjë në fuqi që këtë vjeshtë, megjithëse zyrtarë të ushqyerjes shkollore dhe të industrisë së qumështit thonë se disa shkolla mund të kenë nevojë për më shumë kohë për të vlerësuar kërkesën për bulmet me yndyrë të plotë dhe për të përshtatur zinxhirët e furnizimit.
I kërkuar prej kohësh nga industria e qumështit, rikthimi i qumështit të plotë dhe atij 2% në vaktet shkollore përmbys dispozitat e ligjit Healthy Hunger-Free Kids Act, të mbështetur nga ish-zonja e parë Michelle Obama. Ligji, i miratuar më shumë se një dekadë më parë, synonte të frenonte obezitetin dhe të përmirësonte shëndetin duke ulur konsumimin e yndyrave të ngopura dhe kalorive nga qumështi me yndyrë të lartë.
Ekspertë të ushqyerjes, ligjvënës dhe industria e qumështit kanë argumentuar se qumështi i plotë është një pije e shijshme dhe ushqyese, e demonizuar padrejtësisht, dhe se disa studime sugjerojnë që fëmijët që e konsumojnë kanë më pak gjasa të zhvillojnë obezitet sesa ata që pinë qumësht me pak yndyrë. Kritikët kanë theksuar gjithashtu se shumë fëmijë nuk e pëlqejnë shijen e qumështit me pak yndyrë dhe nuk e konsumojnë, duke çuar në mungesë ushqyesish dhe mbetje ushqimore.
Rregullat e reja do të ndryshojnë vaktet e shërbyera për rreth 30 milionë nxënës të regjistruar në Programin Kombëtar të Drekës Shkollore.
Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., e përshkroi ligjin e ri si “një korrigjim të vonuar prej kohësh të politikës së ushqyerjes në shkolla”. Ndërsa sekretarja e Bujqësisë, Brooke Rollins, tha se ai ndreq një “fushatë dritëshkurtër të Michelle Obama për të hequr qumështin e plotë”.
/tiranapost
