Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po u kërkon vendeve që synojnë një vend të përhershëm në Bordin e tij të ri të Paqes të kontribuojnë të paktën 1 miliard dollarë.
Kështu parashikon një draft-statuti i grupit të propozuar, i siguruar nga Bloomberg.
Sipas dokumentit, Trump do të shërbejë si kryetari i parë i Bordit të Paqes dhe do të ketë kompetencën të vendosë se cilat shtete ftohen si anëtare. Vendimet do të merren me shumicë votash, ku çdo shtet anëtar i pranishëm do të ketë një votë, por të gjitha do t’i nënshtrohen miratimit përfundimtar të kryetarit.
Drafti përcakton se mandatet e anëtarëve do të zgjasin deri në tre vjet, me mundësi rinovimi nga kryetari. Megjithatë, ky kufizim nuk do të zbatohet për shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë nga hyrja në fuqi e kartës, duke u siguruar atyre anëtarësi të përhershme.
Kritikët shprehin shqetësimin se nisma e Trump synon të krijojë një alternativë ose rivale ndaj Kombeve të Bashkuara, organizatë që ai e ka kritikuar vazhdimisht. Në statut, Bordi i Paqes përshkruhet si “një organizatë ndërkombëtare që synon promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së besueshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”.
/tiranapost
