Opinione

Trump përsërit kërkesën për kontroll mbi Groenlandën: Danimarka është mosmirënjohëse

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e përsëriti të mërkurën në Davos kërkesën e tij për marrjen e kontrollit mbi Groenlandën, duke deklaruar se, sipas tij, asnjë shtet apo aleancë shtetesh nuk është në gjendje ta garantojë sigurinë e këtij territori përveç SHBA-së.

“Çdo vend anëtar i NATO-s ka përgjegjësinë të mbrojë territorin e vet”, u shpreh Trump, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë një fuqi shumë më të madhe nga sa perceptohet gjerësisht.

Ai vijoi me kritika ndaj Danimarkës, të cilën e cilësoi si “mosmirënjohëse” për refuzimin e heqjes dorë nga kontrolli mbi Groenlandën. Trump pretendoi gjithashtu se Danimarka i detyrohet Shteteve të Bashkuara për rolin e tyre në garantimin e sigurisë së saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Doni të them ndonjë gjë për Groenlandën? Do ikja pa folur por nuk do merrja vlerësime për një gjë të tillë. Unë kam shumë respekt për njerëzit e Groenlandës dhe të Danimarkës, por çdo aleat i NATO duhet të jetë i aftë të mbroj vetën. Por asnjë vend dhe asnjë komb nuk mund ta mbroj Groenlandën më mirë se SHBA. Ne jemi një forcë e madhe më shumë nga sa njerëzit e mendojnë. Njerëzit e kuptuan forcën tonë para disa ditësh në Venezuelë. E kemi parë forcën e SHBA edhe në luftën e dytë botërore, kur Danimarka ra përballë gjermanëve me vetëm 6 orë luftime dhe ishte e paaftë për ta mbrojtur vetën e saj dhe as Groenlandën dhe këtë mbrojtje e bëmë ne. Ajo mbrojtje e Groenlandës na kushtoi shumë ne. Danimarka e di këtë gjë se ata nuk kishin shanse. Ne kemi ngritur baza ushtarake për Danimarkën. Ne kemi luftuar për Danimarkën për ta ruajtur atë copë akulli se është e vështirë ta quash copë toke. E ruajtëm Groenlandën dhe e nuk lejuam që armiqtë të kenë akses në atë pjesë të Hemisferës veriore. Pas luftës që ne e fituam, pasi pa SHBA ju do ishit duke folur gjermanisht mbase pak edhe japonisht… Pas luftës ne ia kthyem Groenlandën Danimarkës, ishim shumë idiotë që e bëmë atë gjë, por e bëmë, dhe sa mosmirënjohëse është Danimarka tani. Tani vendi ynë dhe bota përballet me më shumë rreziqe së kurrë më parë për shkak të armëve dhe raketave për të cilat nuk mund të flas këtu”, tha Trump.

/tiranapost

Të Ngjashme