Bota

Trump u bën presion aleatëve për Ngushticën e Hormuzit: Do ta kujtojmë kush nuk na mbështet

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar aleatët dhe vendet që përfitojnë nga trafiku i naftës në Ngushtica e Hormuzit se Shtetet e Bashkuara do ta “mbajnë mend” nëse ato nuk ndihmojnë në sigurimin dhe mbajtjen e hapur të kësaj rruge të rëndësishme detare.

Në një intervistë për Financial Times, si dhe më pas gjatë një bisede me gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, Trump tha se po zhvillon bisedime me rreth shtatë vende për të organizuar patrullime që do të garantonin sigurinë e kalimit në këtë korridor strategjik për transportin global të naftës.

Ai përmendi veçanërisht Kinën, duke theksuar se ekonomia e saj varet në masë të madhe nga furnizimet me naftë që kalojnë përmes kësaj ngushtice. Megjithatë, presidenti amerikan nuk zbuloi emrat e vendeve të tjera, por iu referua aleatëve të NATO-s dhe shteteve që, sipas tij, duhet të mbrojnë edhe interesat e tyre.

Trump deklaroi se është “plotësisht e arsyeshme” që vendet që përfitojnë nga kjo rrugë detare të kontribuojnë në mbajtjen e saj të hapur. Ai paralajmëroi se mungesa e mbështetjes nga aleatët mund të jetë “shumë e keqe për të ardhmen e NATO-s”.

Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar aleatët evropianë në konfliktin në Ukrainë, edhe pse ndodhen mijëra kilometra larg, duke lënë të kuptohet se tani pret mbështetje nga ana e tyre.

Këto deklarata vijnë në një moment tensionesh të larta mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani nuk ka kërkuar armëpushim dhe nuk sheh arsye për të negociuar me amerikanët, duke theksuar se bisedimet ishin në zhvillim kur SHBA vendosën të ndërmarrin sulme.

Situata u tensionua edhe më shumë pasi Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait u detyrua të pezullojë përkohësisht fluturimet pas një incidenti me dron. Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë deklaruar se kanë ende “mijëra objektiva” për të goditur në territorin iranian dhe kanë paralajmëruar zgjerimin e sulmeve në pjesën perëndimore dhe qendrore të vendit.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më strategjike në botë për transportin e naftës dhe çdo përshkallëzim i konfliktit në rajon mund të ketë pasoja të mëdha për tregjet globale të energjisë dhe sigurinë ndërkombëtare.

/tiranapost

Të Ngjashme