Në ditët e fundit, disa pamje të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, kanë ngjallur vëmendje për shkak të mavijosjeve të dukshme në duart e tij. Së fundmi, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi përmes një deklarate të mjekut personal se Trump është diagnostikuar me insuficiencë venoze kronike, një gjendje e zakonshme, sidomos tek personat mbi 60 vjeç, por që kërkon vëmendje.
Sipas mjekut, Trump kishte vënë re një ënjtje të lehtë në pjesën e poshtme të këmbëve dhe për këtë arsye iu nënshtrua disa kontrolleve, përfshirë një ekografi Doppler. Rezultatet treguan për një formë të lehtë të kësaj sëmundjeje, pa shenja të trombozës apo problemeve arteriale.

Çfarë është insuficienca venoze kronike?
Bëhet fjalë për një gjendje ku venat, kryesisht në këmbë, nuk arrijnë ta kthejnë gjakun në mënyrë efektive drejt zemrës. Kjo ndodh për shkak të dobësimit të valvulave brenda venave, çka bën që gjaku të grumbullohet dhe të shkaktojë ënjtje, ndjesi rëndese, kruarje, dhimbje natën, ndryshime të ngjyrës së lëkurës apo edhe ulçera në rastet më të rënda.
Kush rrezikohet dhe si trajtohet?
Përveç moshës, faktorë si stili jetësor i ulur, mbipesha, trashëgimia, shtatzënitë e shumta dhe puna që kërkon qëndrimin në këmbë për orë të tëra, mund të kontribuojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje.
Në formën e lehtë, trajtimi përfshin përdorimin e çorapeve kompresive, aktivitet fizik të rregullt, ushtrime specifike dhe medikamente venotonike. Në rastet më të avancuara, mjekësia moderne ofron metoda minimale invazive si ablacioni me lazer apo radiofrekuencë, të cilat mbyllin venat e dëmtuara pa nevojë për ndërhyrje kirurgjikale klasike.
Rasti i Trump është një kujtesë se edhe shenjat më të vogla fizike, si një ënjtje apo mavijosje e përsëritur, nuk duhet injoruar. Kujdesi ndaj venave është pjesë e rëndësishme e mirëqenies kardiovaskulare dhe e shëndetit në përgjithësi.
