Vaksinat kundër gripit, rotavirusit, hepatitit A, hepatitit B, disa formave të meningjitit dhe virusit RSV nuk do të jenë më pjesë e kalendarit të vaksinimit për fëmijët në SHBA.
Ato do të rekomandohen vetëm për grupe të caktuara me rrezik të lartë ose kur mjekët sugjerojnë përdorimin e tyre përmes asaj që quhet “vendimmarrje e përbashkët” me prindërit.
Ky vendim i marrë pas kërkesës së presidentit Donald Trump për rishikimin e kalendarit të vaksinimit dhe krahasimin e tij me vende të tjera të zhvilluara, ka ngjallur reagimin e ekspertëve mjekësor, të cilët shprehen kundër tij, pasi krijon konfuzion për prindërit dhe mund të çojë në rritje të sëmundjeve të parandalueshme.
Ndryshimet vijnë në një kohë kur normat e vaksinimit në SHBA kanë rënë.
Ndërkohë, po rriten rastet e sëmundjeve që mund të parandalohen me vaksina, si fruthi dhe kolla e mirë.
Vendimi argumentohet si një mënyrë për të rritur besimin e publikut, duke rekomanduar vetëm vaksinat më të rëndësishme për fëmijët, duke marrë si shembull Danimarkën, e cila rekomandon 10 vaksina për fëmijët.
Por mjekët pediatër hodhën poshtë këtë krahasim, duke e quajtur të papërshtatshëm dhe të rrezikshëm, pasi vendet i bazojnë me kujdes rekomandimet për vaksinat në varësi të sëmundjeve në popullatat e tyre dhe të sistemeve shëndetësore.
/tiranapost
