Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar Pentagonin që të rifillojë menjëherë testimin e armëve bërthamore, duke i dhënë fund një ndërprerjeje që ka zgjatur 33 vjet.
Njoftimi u bë publik përmes një postimi në Truth Social, teksa Trump po udhëtonte me helikopterin presidencial drejt Busanit, në Korenë e Jugut, për t’u takuar me liderin kinez Xi Jinping.
“Për shkak të programeve të testimit të vendeve të tjera, kam udhëzuar Departamentin e Luftës të fillojë testimin e armëve tona bërthamore në mënyrë të barabartë. Ky proces do të fillojë menjëherë,” shkroi Trump.
Ai shtoi se Rusia është “e dyta” për nga fuqia bërthamore, ndërsa Kina “do të na arrijë brenda pesë vjetësh”.
Vendimi ka shkaktuar reagime ndërkombëtare. Një ligjvënës i lartë rus e cilësoi lëvizjen si “fillimin e një epoke të re pasigurie dhe konfrontimi”, ndërsa Ministria e Jashtme e Kinës bëri thirrje që SHBA të respektojë zotimet për pezullimin e testimeve bërthamore.
Nuk është ende e qartë nëse urdhri përfshin testime me shpërthime reale apo teste raketash me koka bërthamore.
Asnjë fuqi bërthamore, përveç Koresë së Veriut, nuk ka kryer testime të tilla në më shumë se 25 vjet.
Më vonë, gjatë kthimit për në Uashington, Trump tha se testimet janë “të nevojshme për të ruajtur epërsinë ndaj rivalëve”, duke shtuar se “do të dëshironte çarmatimin bërthamor” nëse Rusia dhe Kina do të ishin pjesë e procesit.
Sipas të dhënave të CSIS, Kina ka rritur arsenalin e saj në mbi 600 armë bërthamore në vitin 2025, ndërsa pritet ta kalojë shifrën 1.000 deri në vitin 2030. Në krahasim, Shtetet e Bashkuara zotërojnë rreth 5.225 koka bërthamore, ndërsa Rusia pak më shumë – 5.580.
/tiranapost
