ShowBizzz

U arrestua për kanabis në ballkon, Enca: Po e kultivoja për përdorim vetjak

Këngëtarja e njohur Ruenca Haxhiaj, u arrestua mëngjesin e kësaj të marte pasi në banesën e saj në Lundër të kryqytetit, iu gjetën 5 vazo ku kishte kultivuar kanabis sativa.

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se në dëshminë e dhënë në polici, Enca ka pranuar posedimin e bimëve narkotike dhe ka thënë se i kishte ato për përdorim personal.

“Jam përdoruese dhe e kam për përdorim vetjak”, mësohet të ketë thënë këngëtarja pas arrestimit.

Lënda narkotike ishte kultivuar në vazo në ballkonin e banesës. Materialet procedurale në ngarkim të këngëtares i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetase kishte kultivuar bimë narkotike, në ballkonin e banesës së saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Balcony”.

Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasja R. H., 27 vjeçe, banuese në Lundër.

Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçares, në ballkon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo”, thuhet në njoftimin e policisë.