Lajme

U betua si president, Osmani uron Trumpin: Kosova përjetësisht mirënjohëse

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi Donald Trumpin pas betimit si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Në një letër drejtuar tij, Osmani tha se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me të, me zëvendëspresidentin JD Vance dhe me gjithë administratën e re, “për të forcuar marrëdhëniet tona të posaçme, për të promovuar vlerat tona të përbashkëta të lirisë dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë”.

Osmani përmendi, gjithashtu, përkushtimin e Trumpit për të avancuar rrugën që çon në njohjen mes Kosovës dhe Serbisë dhe tha se si presidente e Republikës së Kosovës, ndan bindjen se kjo do t’i kontribuojë edhe paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë kontinentin evropian.

TS Poll - Loading poll ...

“Lidershipi dhe përkushtimi juaj për të avancuar rrugën e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, është diçka që ne e vlerësojmë dhe e mbështesim me vendosmëri”, tha Osmani në letrën e shpërndarë në X.

Aty, po ashtu, theksohet se “Kosova do të ketë përjetësisht një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për rolin historik që Shtetet e Bashkuara kanë pasur në mbështetjen tonë, në disa prej kapitujve më të errët të historisë sonë”.

“Përkushtimi i vendit tuaj për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin njerëzor, e ka shpëtuar popullin tonë nga një regjim gjenocidial”, tha Osmani dhe shtoi se Kosova mbetet me krenari “populli më proamerikan” në botë.

Trump u betua më 20 janar si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë detyrë, ai shërebu edhe gjatë viteve 2017-2021.

Në fjalimin e parë pas betimit, Trump u fokusua kryesisht në çështjet e brendshme, duke thënë se “epoka e artë e Amerikës fillon tani”.