Ka dalë ekspertiza mjekoligjore për 42-vjeçarin, Egli Proga i cili humbi jetën pasi dyshohet se u dhunua për vdekje më 10 Gusht në një lokal nga i riu Denis Meçe.
Në ekspertizën e Institutit të Mjekësisë Ligjore thuhet se viktima kishte dëmtime në ballë, në hundë, vesh, në faqe, në supin e majtë, të cilat “janë shkaktuar me mjet të fortë mprehës, siç mund të jetë edhe goditja me grusht”.
Sipas aktit të ekspertimit, shkaku i vdekjes së 42 vjeçarit është “hemorragjia në cipën e trurit dhe hemorragjia e indit trunor”.
“Në mostrën e gjakun të viktimës u zbulua prani e alkoolit etilik në vlerën mesatare 2.82 g/L” , thuhet në ekspertizën mjeko-ligjore.
Ekspertiza mjeko-ligjore i është dërguar Prokurorisë së Korçës e cila po vijon hetimet për vrasjen e Egli Progës.
Policia arrestoi si autor të dyshuar Denis Meçen, nën akuzën e vrasjes me dashje.
Por organi i akuzës, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, lehtësoi akuzën për 29-vjeçarin nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia, që solli përplasje mes Policisë dhe Prokurorisë së Korçës.