Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit, gjatë monitorimit të rregullt përmes sistemit të kamerave në Prishtina, ka evidentuar një shofer autobusi duke përdorur telefonin celular gjatë vozitjes.
Sipas njoftimit, ndaj shoferit fillimisht është shqiptuar gjobë për kundërvajtje. Megjithatë, pas verifikimeve shtesë është konstatuar se ai e kishte përsëritur të njëjtën shkelje për herë të dytë.
Si pasojë, autoritetet kanë ndërmarrë masa më të ashpra, shoferit i është sekuestruar patentë-shoferi dhe i është ndaluar drejtimi i mjetit motorik për një periudhë prej tre muajsh.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve, e në veçanti atyre të transportit publik, që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes, duke theksuar se veprime të tilla përbëjnë rrezik serioz për jetën e pasagjerëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
