Ermal Mamaqi do të jetë opinionist në edicionin e ri të reality show-t “Ferma VIP”, i cili transmetohet në ekranin e Vizion Plus.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ermali ka ndarë emocionet e këtij rikthimi pas rreth 15 vitesh në televizionin ku hodhi hapat e parë si prezantues.
Ai gjithashtu ka zbuluar detaje nga spektakli, duke konfirmuar bashkëpunimin me Arbana Osmanin dhe Holta Dulakun, si dhe ditët e transmetimit që do të jenë të hënat dhe të premtet.
Me humorin që e karakterizon, Ermali nuk i ka kursyer batutat për dy opinionistet e tjera që do t’i bashkohen në panel, Armina Mevlanin dhe Einxhel Shkirën, duke u premtuar ndjekësve “përplasje” gjatë netëve të spektaklit.
Në postimin e tij të plotë, ai shkruan saktësisht:
“Mbas gati 15 vitesh rikthehem në Vizion Plus dhe ndihem i nderuar për bashkëpunimin me Holta Dulakun dhe Arbana Osmanin. Shumë i lumtur të rikthehem në vendin ku shtyva limitet e mia dhe provova për herë të parë rolin e prezantuesit, në Vizion Plus. Çdo të hënë dhe të premte do bëj si i zgjuar me opinionin tim në këtë spektakël maratonë. Ju premtoj që të paktën 1 herë do kapemi prej flokësh me Arminën dhe Einxhelin. Mirënjohës për urimet tuaja. Love, Ermali.”
Kujtojmë se “Ferma VIP” po bën bashkë personazhe mjaft të njohur të ekranit, ndërsa përfshirja e Ermalit në panelin e opinionistëve pritet të sjellë doza të larta humori dhe dinamika interesante gjatë analizës së lojës.
