Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i Ergys Agasit, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes së AKSHI-t.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se bashkë me Agasin është arrestuar edhe Ulian Shpataraku, ish-punonjës policie.
Sipas Lalës, Agasi dhe Shpataraku janë lokalizuar fillimisht në Elbasan, ku ndodheshin së bashku në një automjet. Më pas, të dy ata kanë udhëtuar drejt Durrësit, ku janë kapur nga policia në zonën e Plepave.
Sipas raportimit, Shpataraku dyshohet se akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, në këtë rast Ergys Agasit.
Shpataraku, sipas gazetares Lala, ka qenë person i besuar i ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe dyshohet se ka pasur ndikim të konsiderueshëm brenda strukturave të Policisë së Shtetit.
Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe disa sende personale, mes tyre çanta, por ende nuk dihet se çfarë përmbajtje kanë pasur ato.
Operacioni vijon dhe pritet që në orët në vijim të ketë një deklaratë zyrtare nga Policia, e cila pritet të japë më shumë detaje mbi arrestimet dhe akuzat ndaj dy personave.
