Lajme

U mor në pyetje nga SPAK, Elton Qyno: U mbajta i mbyllur me çelës si kriminel

Gazetari i kronikës, Elton Qyno i cili u shoqërua dhe u mbajt në pyetje javën e kaluar për rreth tetë orë nga SPAK për të zbuluar burimin e informacioneve për dosjet kriminale, tregoi sot detaje nga ngjarja që tronditi jo vetëm atë personalisht por edhe familjen e tij.

Kujtojmë se SPAK kreu kontrolle të imtësishme në banesën e gazetarit, ku jetojnë bashëshortja dhe fëmijët e tij të vegjël. Nga kontrollet në banesën e gazetarit, SPAK i sekuestroi të gjitha pasjisjet personale dhe të punës.

I ftuar në emisionin “Repolitix” në Report Tv, gazetari i kronikës tha se materialet për të cilat u pyet nga SPAK kishin të bënin me dosjen e operacionit ‘Plumbi i Artë’, ndërsa shtoi se nuk kishin asnjë shënim se ishin ‘sekret i klasifikuar’.

Gazetari tha se prokuroria e cilësonte materialin si sensitiv, i cili ishte ende në hetim. Më tej Elton Qyno tha se u mbaj i mbyllur në një dhomë me derën mbyllur si të ishte ai krimineli

“Ata donin burimin për 7-8 orë. E cilësonin si një material sensitiv që nuk kishte zbritur në gjykatë. Ishte një material bisedat e njërit të të penduarve të drejtësisë tek rasti i Plumbit të Artë. Në kushtet kur kanë krahasuar informacionin që unë kisha kanë menduar se ky informacion ishte tepër sekret dhe nga ana tjetër vepruan në atë lloj forme që vepruan. Të më çojnë deri në atë pikë, sa të më shkojnë në shtëpi, të më kontrollojnë fizikisht, nuk mu duk normale. Kur ma bëjnë mua imagjino se çfarë mund tu bëjnë të tjerë. Ky informacion që nxora unë! U thirra për një njohje të thjeshtë dhe përfundova tek procedimi për shkak të nxjerrjes së sekretit hetimor. Ndenja 7-8 orë me derën mbyllur. A thua se isha unë krimineli që kisha bërë këtë gjëmën. Ata thonin se nuk është çuar në gjykatë pasi është procedim tjetër. Nuk ke pse ta hapësh këtë histori tani sepse ne do ta hapim në një moment tjetër”, tha Qyno.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo