Lajme

U përdhunua nga 50 burra pa dijeninë e saj: 71-vjeçarja flet për vendimin për gjyqin publik

Gisèle Pelicot, gruaja franceze që është bërë një heroinë feministe për rastin e saj dhe vendimin që gjyqi për përdhunimin e kryer nga ish-bashkëshortin e saj dhe +50 burrave të tjerë të mbahet publikisht, i ka thënë një gjykate në jug të Francës që ajo po drejtohet nga dëshira për të ndryshuar shoqërinë.

“Unë jam një grua e shkatërruar totalisht dhe nuk e di si do ta rindërtoj veten. Së shpejti mbush 72 vjeç dhe nuk jam e sigurt që jeta ime do të jetë e mjaftueshme per t’u rikuperuar nga kjo,” tha ish-menaxherja e logjistikës, e cila u përdhunua në mënyrë të përsëritur duke u droguar pa dijeninë e saj nga burri i saj, Dominique Pelicot, 71 vjeç.

Dominique Pelicot i shtonte fshehtas tableta gjumi dhe medikamente kundër ankthit në ushqim dhe pijet që ajo konsumonte dhe ftonte burra që ta përdhunonin për një periudhë prej 9 vitesh.

Anëtarë të publikut ishin rreshtuar jashtë gjykatës që para fillimit të gjyqit për të treguar mbështetjen e tyre. Ky rast ka nxitur mijëra njerëz në Francë të protestojnë për ashpërsimin e ligjeve për përdhunim dhe përmirësimin e trajtimit të rasteve të përdhunimit nga sistemi i drejtesisë.

Gisèle Pelicot arriti dhe u largua nga gjykata mes duartrokitjeve, siç ka bërë çdo ditë që nga fillimi i gjyqit muajin e kaluar. Shumë nga mbështetesit shpresonin që rasti të ndryshonte qëndrimet ndaj përdhunimit. Disa mure të qytetit ishin mbuluar me mesazhe mbështetëse, përfshirë: “Gisèle, gratë të falenderojnë”.

Ajo tha se donte të hiqte turpin që ndiejnë viktimat e përdhunimit.

“Dua që të gjitha gratë viktima të përdhunimit – jo vetëm kur janë droguar, përdhunimi ekziston në të gjitha nivelet – dua që ato gra të thonë: “Znj. Pelicot e bëri, ne mund ta bëjmë gjithashtu”. Kur të përdhunojne, ndien turp dhe nuk është për ne të ndiejmë turp, është për ta.”

Ajo shtoi: “Profili i një përdhunuesi nuk është dikush që e takon në një parkim natën vonë. Një përdhunues mund të jetë gjithashtu në familje, mes miqve tanë.”

Pas dëgjimit të dëshmive të grave, të dashurave ose miqve në gjykatë që thoshin se të akuzuarit nuk dukeshin të aftë për përdhunim, ajo tha: “Ne duhet të përparojmë në kulturën e përdhunimit në shoqëri…Njerëzit duhet të mësojnë përkufizimin e përdhunimit.”

Drejtuar ish-bashkëshortit të saj, por duke thënë se refuzon të kthejë kokën për ta parë, ajo tha:

“Si mund të ketë arritur njeriu perfekt deri këtu? Si munde të sjellësh këta të huaj në dhomën time të gjumit?”

Dominique Pelicot ka pranuar akuzat kundër tij dhe ka thënë se për gati një dekadë ai kishte qenë në kontakt me burra në një hapësirë në internet të emëruar “pa dijeninë e saj”, ku organizonte që të huajt të vinin në shtëpinë e tij për të përdhunuar gruan e tij kur ajo ishte në një gjendje të pavetëdijshme në shtratin e saj.

Ai ka thënë se i vendoste drogë asaj gjatë vakteve ose në tasat me akullore që i sillte ndërsa ajo shikonte televizor pas darke.

“Jam një përdhunues, si të tjerët në këtë dhomë,” ka thënë Pelicot në gjykatë, duke shtuar se burrat e tjerë të akuzuar e dinin se po ftoheshin për të përdhunuar gruan e tij.

Gisèle Pelicot u pyet në gjykatë nëse kishte vërejtur momente kur ai mund t’i kishte droguar ushqimin ose pijet. Ajo tha se nuk kishte vënë re se kishte renë nën efektin e tyre dhe duhej të kishte humbur ndjenjat shumë shpejt.



ks