Lajme

U plagos nga vëllai me pushkë gjuetie, gjendja e 7-vjeçarit në gjendje stabile

Një fëmijë 7-vjeçar është plagosur aksidentalisht nga vëllai i tij i mitur, të shtunën në Suharekë.

Gjendja e tij tashmë është stabile dhe i njëjti po trajtohet në Kliniken Ortopedike në QKUK.

Kështu ka bërë të ditur për Tëvë1, drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, i cili njoftoi se i plagosuri është futur në operacion dhe tashmë i ka përfunduar edhe analizat.

“Është trajtu tek ne, janë kryer ekzaminimet dhe analizat. Është futë në sallë të emergjencës prej ekipës kujdestare të anestezionit, të kirurgjisë plastike, të kirurgjisë vaskulare dhe të ortopedisë. Më në fund, në gjendje stabile është transferu në ortopedi”, tha Syla.

Ndërkohë, se si ka ndodhu plagosja, detaje ka dhënë Policia e Kosovës në raportin ditor.

Policia thotë se i mituri duke përdorur pushkën e gjuetisë, dyshohet se aksidentalisht i ka shkrepur arma dhe e ka goditur të vëllain.

Ndërkohë, si pasojë e shkrepjes, viktima ka pësuar lëndime të rënda dhe pas tretmanit mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ai është dërguar në QKUK.

Në raportin ditor të PK-së është bërë e ditur se lidhur me këtë është informuar prokurori, ndërkaq njësitë policore po e hetojnë rastin, i cili është cilësuar “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

“Viktima mashkull kosovar-fëmijë ka pësuar lëndime, pasi që i dyshuari kosovar (i mitur)-vëllai i viktimës, duke përdorur pushkën e gjuetisë dyshohet aksidentalisht i ka shkrepur arma dhe ka goditur viktimën. Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime të rënda dhe pas tretmanit mjekësor në spitalin rajonal në Prizren, është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Lidhur me rastin, është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në njoftim./teve1.info/