45-vjeçari u qëllua për vdekje pas një debati me disa klientë në fshatin Larum të qytetit Geel, autorët ende në arrati.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Belgjikë, ku 45-vjeçari Marko Beka ka humbur jetën mbrëmjen e së premtes pas një incidenti me armë zjarri në fshatin Larum, pjesë e qytetit Geel, transmeton albinfo.ch.
Referuar mediave belge dhe konfirmimeve zyrtare nga autoritetet, viktima – banues në Geel dhe pronar i një biznesi taksish – u qëllua pranë një parku, afër kishës në qendër të fshatit, rreth orës 21:00. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një debati që ka dalë jashtë kontrollit mes Bekës dhe disa klientëve.
Pas të shtënave, autorët janë larguar nga vendngjarja në këmbë, ndërsa policia belge ka nisur menjëherë një operacion kërkimi për identifikimin dhe arrestimin e tyre. Deri më tani, nuk raportohet për ndonjë të dyshuar të arrestuar.
Dëshmitarët kanë deklaruar se e kanë gjetur viktimën të shtrirë në tokë dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës. Megjithë ndërhyrjen e shpejtë të tyre, Marko Beka nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Zona u rrethua nga forcat e sigurisë, ndërsa në vendngjarje mbërritën hetuesit, laboratori kriminalistik dhe mjeku ligjor.
Beka ishte baba i tre fëmijëve, të moshave 5, 11 dhe 17 vjeç. Bashkëshortja e tij, Izabela, e ka përshkruar atë si një njeri të qetë, të sjellshëm dhe shumë social, i respektuar në komunitet dhe pa konflikte me askënd.
Autoritetet belge kanë bërë thirrje publike për këdo që mund të ketë informacione lidhur me këtë ngjarje, që të ndihmojë në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes. Hetimet po vazhdojnë./Albinfo.ch/
U qëllua për vdekje, humb jetën shqiptari pas të shtënave me armë zjarri në Belgjikë
