Lajme

U sulmuan në vendin e punës, reagon Sindikata e Pavarur e Pylltarisë

Dy punonjës të pylltarisë ishin sulmuar dhjetë ditë më parë në Han të Elezit e të cilët kishin pësuar lëndime të rënda trupore. Për këtë ka reaguar Sindikata e Pavarur e Pylltarisë së Kosovës e cila ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj zyrtarëve pylltarë.

Sipas kësaj sindikate dy punonjësit e Qamush Krasniqi dhe Enver Thaçi, ishin sulmuar brutalisht në vendin e tyre të punës, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

“Si pasojë e këtij sulmi, ata kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë detyruar të marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Ferizajt”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Pavarur të Pylltarisë së Kosovës.

Kjo sindikatë ka kërkuar nga organet kompetente shtetërore që rasti të trajtohet me seriozitet maksimal, të hetohet deri në fund dhe autorët e këtij akti të dhunshëm të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar, në përputhje me ligjin.

“Po ashtu, kërkojmë që kësaj dukurie shqetësuese, e cila po përsëritet herë pas here në Kosovë, t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë. Dhuna ndaj zyrtarëve publikë është e papranueshme dhe cenon drejtpërdrejt rendin, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve shtetërore”, vijon reagimi i tyre.

Gjithashtu Sindikata e Pavarur e Pylltarisë së Kosovës ka kërkuar që të krijohen dhe të përmbushen kushtet e nevojshme për sigurinë dhe mbrojtjen e zyrtarëve të pylltarisë, në mënyrë që ata të mund ta kryejnë punën e tyre në mënyrë të lirë, të sigurt dhe profesionale.

“Sindikata e Pavarur e Pylltarisë së Kosovës shpreh solidaritet të plotë me punonjësit e lënduar dhe mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të të gjithë pylltarëve në vend”, përfundon reagimi i Sindikatës së Pavarur të Pylltarisë së Kosovës.

Të Ngjashme