Dalai Lama, udhëheqësi shpirtëror i budizmit tibetian, besohet se është rimishërimi i një vargu të gjatë qeniesh të ndriçuara që shtrihet prej qindra vitesh. Procesi i zgjedhjes së një Dalai Lame të ri bazohet në tradita fetare dhe mistike shumë të vjetra.
Kush është Dalai Lama?
Në budizmin tibetian, “lama” është një titull që i jepet një mësuesi ose udhëheqësi të lartë shpirtëror. Besohet se disa lama janë tulku, pra, rimishërime të qenieve të ndriçuara që zgjedhin të rilindin pas vdekjes për të vazhduar përhapjen e mësimeve budiste.
Dalai Lama i referohet një tulku të veçantë, mishërimi i parë i të cilit ishte Gedun Drupa, i lindur në rajonin Tsang të Tibetit qendror në vitin 1391. Dalai Lama shërben si udhëheqësi faktik i shkollës budiste tibetiane Gelugpa.
Si u identifikua Dalai Lama i 14-të?
Dalai Lama i 14-të, Tenzin Gyatso, lindi në vitin 1935 në një familje fermerësh në provincën Qinghai të Kinës, dikur pjesë e Tibetit verilindor. Ai u zgjodh si Dalai Lama në moshën 2-vjeçare.
Pas vdekjes së paraardhësit të tij, murgjit e lartë tibetianë nisën menjëherë kërkimin për rimishërimin e tij. Ky proces mund të zgjasë vite dhe zakonisht përfshin:
Interpretimin e ëndrrave dhe vegimeve.
Vëzhgimin e shenjave dhe ritualeve të lashta.
Pelegrinazhe në vende të shenjta.
Analizimin e shenjave, si drejtimi i tymit nga kremimi i Dalai Lamës ose ku po shikonte ai në momentin e vdekjes.
Vlerësimin e sjelljes, inteligjencës dhe cilësive shpirtërore të një fëmije të mundshëm.
Sipas zyrës së Dalai Lamës, lama të lartë arritën në shtëpinë e Tenzinit pas vegimeve pranë liqenit të shenjtë Lhamo Latso në Tibet. Udhëheqësi i grupit kërkues, Kewtsang Rinpoche, u shtir si shërbëtor dhe kaloi një mbrëmje me Tenzinin e vogël, i cili e quajti atë “Sera lama”. “Sera” ishte emri i manastirit të tij, gjë që u mor si shenjë e rëndësishme.
Disa ditë më vonë, grupi u kthye me objekte që i përkisnin Dalai Lamës së 13-të. Foshnja Tenzin identifikoi saktë sendet që i përkisnin paraardhësit, duke thënë: “Është imja. Është imja.”
Si do të zgjidhet një Dalai Lama i ri?
Gjatë viteve, Tenzin Gyatso ka bërë disa deklarata për pasardhësin e tij. Ai ka thënë se Dalai Lama i 15-të mund të jetë:
Femër (një rast i parë).
I lindur jashtë Kinës ose Tibetit (një gjë e rrallë).
Një i rritur (që do të thotë se ai mund ta “transferojë” shpirtin e tij te një person tjetër ndërsa është ende gjallë).
Ai ka sugjeruar gjithashtu se mund të jetë Dalai Lama i fundit, por më vonë ka thënë se institucioni do të vazhdojë sipas procesit tradicional pas vdekjes së tij.
Megjithatë, ky proces mund të ndërlikohet nga qeveria kineze, e cila pretendon të drejtën për të miratuar, në mos për të zgjedhur, Dalai Lamën e ardhshëm përmes sistemit të saj të “urnës së artë”, një lloj shorti. Kjo mund të çojë në dy pasardhës rivalë për titullin.
