Lajme

Ulutash: Ka ende sfida, koordinimi mbetet çështje jetike për sigurinë

Komandanti i KFOR-it, gjenerali turk, Ozkan Ulutash ka thënë se për fat të keq, shumë sfida vazhdojnë të mbesin dhe se tensionet janë ende të pranishme në Kosovë. Komandanti i KFOR-it ka nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe ka thënë se përparimi në këtë proces është i mundur, por që kërkohet guxim dhe përkushtim i sinqertë nga të dy palët.

“NATO dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kuadrin për një zgjidhje të qëndrueshme të çështjeve të pazgjidhura. Unë mbetem optimist se – me durim, këmbëngulje dhe një qëndrim konstruktiv nga të gjitha palët – këto pengesa mund të kapërcehen”, ka thënë Ulutash.

Në një takim me zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Ambasadorin Boris Ruge, pas raportimit në Këshillin e Atlanikut ai ka thënë se përgjegjësit për sulmin në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë.

“Një vit pas sulmeve në Zveçan dhe Banjskë, është urgjente të sillen përgjegjësit para drejtësisë dhe NATO shikon nga Serbia për të ndihmuar në sigurimin e përgjegjësisë së plotë. KFOR-i synon të sigurojë që sulme të tilla të mos përsëriten”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Ulutash që përfundon mandatin më 11 tetor ka thënë se gjatë udhëheqjes së tij me KFOR-in ka ruajtur me sukses paqen dhe sigurinë në Kosovë.

“Nën komandën time, KFOR-i ka ruajtur me sukses paqen dhe sigurinë në mbarë Kosovën, në përputhje me mandatin tonë të gjatë të OKB-së. Nëpërmjet një qëndrimi të dukshëm, fleksibël dhe të adaptueshëm, ne kemi parandaluar rreziqet për dhunë të përtërirë dhe kemi kontrolluar me shpejtësi situata që mund të çojnë në incidente ose përshkallëzim. Ne kemi përforcuar më tej misionin dhe kemi vazhduar rolin tonë si një forcë e paanshme, duke punuar me të gjitha komunitetet për të nxitur sigurinë dhe sigurinë, për të gjithë. Ne kemi vazhduar gjithashtu të ofrojmë mjedisin e sigurt të nevojshëm për përpjekjet diplomatike për të ecur përpara”, tha gjeneralmajor Ulutaş.

Gjeneralmajor Ulutaş jep dorëheqjen më 11 tetor 2024. Ai do të pasohet nga gjeneralmajor Enrico Barduani, nga Italia.