Veshkat janë punëtorët e heshtur të trupit tonë – ato filtrojnë gjakun, largojnë toksinat dhe ruajnë ekuilibrin e lëngjeve. Por shumë njerëz, pa e kuptuar, i dëmtojnë ato çdo mëngjes përmes disa zakoneve të përditshme.
Dr. Venkat Subramanyam, urolog i njohur nga Chennai, ka paralajmëruar për pesë zakone të zakonshme të mëngjesit që mund të dobësojnë funksionin e veshkave në plan afatgjatë, shkruan Times of India.
1. Mbajtja e urinës pas zgjimit
Gjatë natës, fshikëza mbushet plot, prandaj veprimi i parë pas zgjimit duhet të jetë shkuarja në tualet. Mbajtja e urinës rrit presionin mbi fshikëzën dhe veshkat, duke nxitur infeksione dhe me kalimin e kohës, dëmtim të indeve. “Mos e mbani kurrë urinën shumë gjatë – as në mëngjes, as gjatë ditës,” këshillon mjeku.
2. Pirja e kafesë para ujit
Trupi zgjohet i lehtë i dehidratuar. Nëse kafenë e pini para ujit, kafeina përshpejton humbjen e lëngjeve dhe e vështirëson punën e veshkave. Zgjidhja: filloni ditën me një gotë ujë, pastaj shijoni kafenë tuaj të parë.
3. Marrja e qetësuesve me stomak bosh
Ilaçet si ibuprofeni dhe aspirina mund të ulin qarkullimin e gjakut në veshka dhe, me përdorim të shpeshtë, të shkaktojnë inflamacion ose dëmtime. Kur merren pa ushqim, rreziku është edhe më i madh. Ekspertët rekomandojnë: merrni ilaçet vetëm pas vakteve.
4. Mosrehidratimi pas stërvitjes
Pas aktivitetit fizik në mëngjes, trupi humbet lëngje dhe minerale. Nëse ato nuk zëvendësohen, ndodh dehidratim që e vështirëson filtrimin në veshka. Dr. Subramanyam këshillon: “Pas çdo stërvitjeje, pini ujë gradualisht për të rikthyer ekuilibrin.”
5. Anashkalimi i mëngjesit
Të mos hash mëngjes çon në ulje të nivelit të glukozës dhe rritje të aciditetit në trup. Kjo më vonë nxit dëshirën për ushqime të kripura e të përpunuara, duke i ngarkuar veshkat. Zgjidhja më e mirë: një mëngjes i ekuilibruar me proteina, fruta dhe perime.
Kujdesi për veshkat fillon që në orët e para të ditës. Disa ndryshime të vogla në rutinën e mëngjesit mund të ndihmojnë për të ruajtur funksionin e tyre për vite me radhë.
