Kur dëshiron një lëkurë të shëndetshme e të bukur, jo vetëm kremrat dhe serumet janë të rëndësishëm, ushqimi që zgjedh çdo ditë është një faktor kyç. Çdo lloj problemi i lëkurës, si puçrrat, yndyra e tepërt, thatësia apo shenjat e plakjes, mund të përmirësohet nëse ndryshon ushqimin duke përfshirë ushqime të pasura me vitamina, antioksidantë dhe yndyrna të shëndetshme. Gjithashtu, hidrimi i mjaftueshëm me ujë është thelbësor për ta mbajtur lëkurën elastike dhe të butë.
Për shembull, vitamina C dhe antiosidantët ndihmojnë në trajtimin e njollave dhe pigmentimit, prandaj agrumet, mjedrat, kiwi dhe domatet duhet të jenë shpesh në menu. Sipas ekspertëve, ushqimet me indeks të ulët glicemik ndihmojnë në kontrollimin e yndyrës dhe reduktimin e puçrrave pra, më pak buka e bardhë, makarona dhe ushqime të përpunuara; dhe më shumë fruta, perime dhe ushqime të pasura me vitaminë A si karrota apo mango.
Për aspekte të tjera të lëkurës, dieta duhet të përfshijë ushqime që ndihmojnë kundër thatësisë dhe plakjes si avokado, arrorë, vezë, peshk me yndyrë (si salmoni) dhe fara të cilat janë burime të yndyrnave të mira, vitaminave E dhe antioksidantëve që mbrojnë lëkurën nga dëmtimet. Këto lëndë ushqimore jo vetëm që mbajnë lëkurën të hidratuar por ndihmojnë edhe në reduktimin e inflamacionit, rritjen e elasticitetit dhe mbrojtjen ndaj radikaleve të lira që nxisin plakjen.
